Nga Mero Baze
Detaji më pikant i përshkruar nga Ismail Kadare, tek romani i tij “Dimri i Madh”, për prishjen e Enver Hoxhës me rusët, është detaji që përkthyesi mund të kishte shkaktuar prishjen. Lulzim Basha sot po përpiqet të ilustrojë pasigurinë e tij, për t’u ndeshur “dhëmb për dhëmb” me Perëndimin, pikërisht me një gabim në përkthim. Ditën kur Komisioni i Venecias në rrugë jozyrtare, ka dhënë opinionin e tij paraprak për Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ligjin e “Vetting”-ut, duke e quajtur atë korrekt, Basha ka kërkuar përsëritjen e kërkesës, pasi ka zbuluar probleme me përkthimin.
Edhe pse e gjitha duket një lojë qesharake, Luzim Basha ka përparësinë e një njeriu që nuk ka turp. Ai mund të bëjë atë që nuk i shkon në mendje askujt për të arritur një objektiv. Të gjithë e mbajmë mend se si askush nuk besonte se ai do të anulonte fitoren e rivalit të tij Edi Rama në vitin 2011, pasi nuk kishte asnjë fakt. Por ai gjeti ca fletë votimi në kazan, vuri Ristanin t’i pastronte dhe e shpalli veten fitues, duke e anulluar rezultatin e zgjedhjeve.
Të gjithë mendonin se ai nuk mund të përfshihej aq hapur në garën qesharake të PD kundër çdo rregulli ndaj rivalit të tij Olldashi. Por ai jo vetëm që përdori Berishën si bodigard që u ulëriste vartësve në telefon, por dhe fletët e votimit i bëri me numër rendor për të regjistruar dhe më pas spastruar çdo mbështetës të rivalit të tij.
Të gjithë besonin se Lulzim Basha nuk mund ta bllokonte ligjin e “Vetting”-ut, pasi ai thirri “fitore” kur u miratua Reforma Kushtetuese. Por ai e bllokoi ligjin, sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
E njëjta histori po përsëritet sot me ligjin e “Vetting”-ut. Basha është informuar se “Venecia” është “pro” ligjit dhe gjykata mund të vihet para vështirësisë që të mos e vonojë vendimin e saj. Dhe ai ka urdhëruar Gjykatën ta ribëjë kërkesën për në “Venecia”.
Në fakt e gjitha bëhet që “Venecia” të shtyjë përgjigjen dhe të digjen negociatat. Këtë e kupton çdo njeri.
Të vetmen gjë që nuk kuptoj në këtë histori është përse Basha, nuk do t’i marrë përsipër meritat e bllokimit të negociatave me Bashkimin Europian. Një opozitë kaq e vendosur, për të bllokuar një proces, duhet t’i paraqesë këto beteja të saj, si merita. Lulzim Basha kur u bind se kusht i vetëm për Komisionin është “Vetting”-u, bëri pikërisht atë që ka në dorë.
Tani nuk e kuptoj pse është kaq i pasigurt të lavdërohet me këtë gjë. Ai ka bërë gjithë këtë betejë, ka një vit që po përpiqet të bllokojë reformën në drejtësi dhe po ia del në hapat e fundit t’i vërë stërkëmbësh procesit të negociatave me këtë histori.
Të bësh gjihë këtë betejë kundër rrugës integrimit të Shqipërisë, të jesh kaq i suksesshëm dhe pastaj t’i kalosh meritat “një përkthyesi” anonim, është qesharake.
Shqipëria ka opozitën që ka, dhe nuk mund të prodhojmë një opozitë me dy identitete, njërën që e do Europën kur flet në televizor dhe tjetrën që e sulmon natë e ditë për të mos u bërë pjesa jonë. Opozitë është ajo që bën betejat publike dhe Lulzim Basha i ka bërë betejat e tij kundër këtij procesi. Të paktën ta marrë përsipër dhe t’ia njohim si meritë.
Çdo vend ka opozitat e tij antiperëndimore. Madje tani jetojmë në një kohë që dhe vetë vendet Perëndimore janë kundër politikave perëndimore të integrimit. Gjermania, Franca, Anglia dhe ndoshta Italia në radhë po nxjerrin në horizont liderë kundër integrimit.
Edhe ky vend ka plot antiperëndimorë, bile ndoshta më shumë se sa ka vota personalisht Lulzim Basha. Ai mund të jetë dhe lideri i tyre. Nuk është ndonjë turp më i madh, se ato që ka bërë deri më sot.
Diskutime rreth kësaj post