Sot, askush nuk ngazëllehet përditë, për faktin që ka dritë dhe gaz. Eshtë një progres që e konsiderojmë të mirëqenë dhe të pakthyeshëm, ashtu si dhe shkolla publike e hapur për të gjithë. Me Europën, ndodh e njëjta gjë.
Ky unitet europian, të cilit sot i festojmë përvjetorin e gjashtëdhjetë, duke tashmë kaq i mirëqenë, saqë i shohim vetëm defektet e shumta, pa u kujtuar për gjithë ato gjëra që na ka dhuruar, pavarësisht provave. Pa tregun e përbashkët, bumi ekonomik i pasluftës nuk do të kish qenë kaq i fortë, ashtu sikurse dhe progresi i qëndrueshëm i mbrojtjes sociale dhe stilit të jetesës.
Pa politikën e parë të përbashkët, atë bujqësore, nuk është e thënë që Europa do të kish arritur të garantonte vetëmjaftueshmërinë në ushqim, dhe sektori agro-ushqimor nuk do të kish patur peshën e madhe që ka në eksporte.
Për se shërben Bashkimi Europian
Pa unitetin europian, rregullat dhe traktatet e tij, shembja e perandorisë sovjetike do të kish shkaktuar, pashmangshmërisht, një seri luftërash në zemër të Europës, pasi nuk do të kish qenë e mundur t’u bëhej e ditur vendeve të Europës qendrore, se duhej të hiqnin dorë nga çfarëdo hakmarrje territoriale, nëse donin që të hynin në BE.
Pa këtë bashkim dhe rregullat e tij industriale dhe mjedisore, vendet europiane nuk do të kishin mundur t’i kundërviheshin (siç e bëjnë, sado i pamjaftueshëm është angazhimi i tyre) importit të produkteve të cilët nuk respektojnë nevojat e tyre.
Pa këtë unitet, shumëkombëshet nuk do të kishin respektuar ligjet e një tregu të përbërë nga 500 milionë njerëz, një basen përdoruesish, të cilin nuk mund ta injorojnë.
Pa këtë unitet mbrojtja sociale europiane, shteti social që askund nuk është zhvilluar si në vendet e Unionit, do të ishte mposhtur prej kohësh nga një kapital, i cili nuk njeh kufij.
Unioni nuk është Kali i Trojës i regresit social, siç thonë disa. Përkundrazi, është bastioni i modeleve tona sociale, dhe grupi i shteteve ku liritë dhe demokracia, ta papërsosura siç janë gjithmonë, janë më të fortat dhe të mbrojturat në botë.
Sot, në 25 mars 2017, ky grup mbush 60 vite, dhe duket më i kërcënuar se kurrë. Bashkimi Europian është i kërcënuar, sepse shumë europianë u tremben evolucioneve ndërkombëtare, deri në pikën që do të donin të fshiheshin prapa llogoreve të kufijve kombëtarë të të kaluarës.
Por nëse është e vërtetë që nuk ka një shumicë në mbështetje të Unionit, është po kaq e vërtetë se nuk ka një shumicë që kërkon shpërbërjen e tij. Jemi në një të mesme tejet shqetësuese, dhe ajo për të cilën BE ka nevojë për t’u ringritur janë faktet konkrete, projektet industriale dhe investimet e përbashkëta, një mbrojtje e përbashkët, një kërkim-zhvillim dhe universitete të mëdha europiane, një politikë dhe transmetim energjetik të përbashkëta. Po mbërrijmë. Do të mbërrijmë. Dhe pikërisht për këtë, duke parë se jo të gjithë duhet të ndjekin të njëjtën rrugë, sot Unioni do të zyrtarizojë parimin e ritmeve dhe objektivave të diversifikuara, për të lejuar ata që duan, të shkojnë më larg e më shpejt. /bota.al
Diskutime rreth kësaj post