Nga Mero Baze
Sali Berisha zbriti sot në një zyrë elektorale të lagjes së tij, për t’u takuar me disa të rinj demokratë, në përpjekje për t’u dukur sikur po i jep dhe ai një dorë fushatës. E vërteta është se Sali Berisha ka qëndruar larg kalendarit të fushatës, por dhe larg tipologjisë së fushatës. Ai ka vazhduar të bëjë fushatën e tij në rrjetet sociale, tërësisht të ndryshme nga fushata e Bashës, duke tentuar të krijojë një vazhdimësi mes asaj që ka bërë katër vjet në opozitë dhe kësaj fushate.
Mënyra si Basha ndërtoi listat e fushatës, marrëveshja e tij me Edi Ramën pa u konsultuar me Berishën dhe më pas tipi i ri i fushatës së Bashës, në të vërtetë bëri atë që askush nuk e kishte pritur, duke shndërruar Berishën nga një tutor të Bashës dhe kryetar “de facto” të PD-së, në një lider të anashkaluar, i cili po detyrohet t’i serviloset Lulzim Bashës, që të mos duket si shkaktar i humbjes.
Me gjestin e sotëm, Berisha duket se vuan nga i njëjti kompleks që vuan Patozi, Bregu, Topalli, Selami etj, të cilët edhe pasi u përjashtuan nga Basha, deklaruan formalisht se do mbështesin fushatën e PD drejt fitores. Deri tek ata e kuptoj, pasi nuk duan të përjashtohen nga çdo strukturë e PD, por fakti që këtë tani po e bën dhe Berisha, tregon realisht jo fuqinë e tij, por pafuqinë e tij me atë që po ndodh në PD me Lulzim Bashën.
Edhe pse sheshet po boshatisen, edhe pse Basha po shkon poshtë e më poshtë në sondazhe, shtypi i tij ka filluar ta paraqesë si sukses spastrimin e listës nga figurat e vjetra. Është pikërisht kjo sfidë e Bashës, që duket se po detyron Berishën të shfaqet në fushatë dhe të duket sikur është në sinkron me Bashën për çfarë po bën.
Në mënyrë të pabesueshme, ai është kthyer në një tigër prej letre në PD, të cilin Basha po e përdor si ari cirku për t’u zbavitur me fushatën e tij. Në çdo deklaratë të tij që nga 17 maji e pas, Sali Berisha është jo vetëm luajal me atë që nuk është dakord në thelb, por dhe shumë i kujdesshëm, që të mos duket se është në llogoren përballë Bashës.
Ai bën kujdes të gjejë mesazhe atje ku dhe Basha nuk ka asnjë mendim, përpiqet të gjejë suksese, atje ku Basha është vetë i dëshpëruar dhe mbi të gjitha, përpiqet të justifikojë çdo politikë të Bashës.
Sot ai ka zbritur të takojë disa të rinj demokratë në lagjen e tij, për t’u dukur se ai nuk ka asnjë qejfmbetje nga ajo që po bën Basha. Është një stërmundim i madh i tij për t’u dukur luajal dhe në një gjatësi vale me Lulzim Bashën, i cili e ka asgjesuar fuqinë e tij në PD brenda një nate, duke fuqizuar klanin Pollo dhe një grup biznesmenësh që nuk kanë lidhje me Familjen.
I gjithë ky kujdes i Berishës për t’u dukur luajal me Bashën, i gjithë ky kompleks për të mos i prishur punë në fushatë, vjen atëhere kur ai e shikon më mirë se gjithçka tjetër, se humbja e PD do të jetë e thellë.
Dhe nuk dihet nëse këtë e bën se do t’ia bëj të lehtë Bashës humbjen, apo do t’ua bëj kundërshtarëve të tij të lehtë linçimin!
Diskutime rreth kësaj post