Astrit Patozi ka komentuar zhvillimet e fundit dhe përplasjet në PD, pasi Lulzim Basha përjashtoi nga grupi parlamentar Sali Berishën.
“Me sa duket, 31 vjet pluralizëm në Shqipëri nuk kanë mjaftuar për të mësuar se në një vend demokratik duhet të bësh një herë partinë dhe pastaj të zgjedhësh kryetarin. Këta duan të zgjedhin një herë kryetarin, që ai pastaj t’u rregullojë apo t’ua bëjë ndoshta nga e para partinë”, shprehet Patozi në postimin e tij.
Postimi i Astrit Patozit:
“PO ME ATË “LULIN” TJETËR SI DO T’IA BËJNË?
Përpiqem t’i kuptoj ata demokratë apo ish-demokratë të mërzitur, që janë ngazëllyer aq shumë dhe kanë nisur të ndjehen gjallë nga rikthimi në fushë i doktorit. Edhe adrenalinën apo motivimin e fortë, që prodhon idea e hakmarrjes për shumicën e tyre, se më në fund po afrohet dita e shpagimit për “besëprerin” Lulzim Basha.
Por e zemë për një çast se do t’u plotësohet ëndrra, ndonëse nuk ka ndonjë shenjë që kryetari me letra i PD ta çojë nëpër mend të dorëzojë çelësat, edhe sikur takimet e Berishës t’i shkojnë në oborrin e selisë.
Puna është se çfarë do bëjnë me atë “Lulin” tjetër, që do vijë pasi ta heqin këtë “liderin e thyer” peng të Edi Ramës. Mbase do ta presin edhe nja 12 vjet të tjera, derisa të binden se ai nuk do ta tradhtojë kurrë doktorin.
Me sa duket, 31 vjet pluralizëm në Shqipëri nuk kanë mjaftuar për të mësuar se në një vend demokratik duhet të bësh një herë partinë dhe pastaj të zgjedhësh kryetarin. Këta duan të zgjedhin një herë kryetarin, që ai pastaj t’u rregullojë apo t’ua bëjë ndoshta nga e para partinë.
Dhe për shkak të këtij keqkuptimi i kanë rënë shkurt, u janë falur të gjithë foltores, njësoj si ata të pafatët në bashkëjetesë, që pasi i provojnë të gjitha, martohen prapë me gruan e parë.“-shkruan Patozi.
Diskutime rreth kësaj post