Kryetarja e Lëvizja Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar ditën e djeshme sa i takon incidentit të ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku mbështetës të Partisë Demokratike u përplasën me mbështetës të Partisë Socialiste në këtë qytet.
Teksa ndodhej në qytetin e Përmetit për të prezantuar kandidatin për deputetët të LSI, Elton Ismaili sa i takon zgjedhjeve parlamentare, zonja Kryemadhi u ndal edhe tek episodet e dhunës. E prerë dhe e qartë në atë që thoshte, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim mbështeti hapur këto episode, ndërkohë që theksoi se rezultati i 25 prillit është ajo çfarë ndodhi dje në Elbasan, aty ku njerëzit sipas saj, e përzunë kryeministrin Rama dhe i thanë ik largohu.
“Një nga problemet tona kryesore është ajo çfarë do të ndodhë mbas 25 prillit sepse ne e kemi mëse të qartë se cili do të jetë rezultati i 25 prillit. Rezultati i 25 prillit është ajo çfarë ndodhi në Elbasan më përpara, aty ku njerëzit e përzunë dhe i thanë ik largohu sepse nuk duam të të shikojmë”, – deklaroi ajo.
Më tej gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi shtoi se Elbasani është vetëm 17 minuta larg Tiranës dhe ka sipas saj, papunësinë më të madhe dhe është zhytur në skamje.
“Ku Elbasani është vetëm 17 minuta larg Tiranës, ka papunësinë më të madhe, ka mungesën e ekonomisë, ka biznese të falimentuara ka varfërinë më të madhe”, – u shpreh ajo.
Po ashtu, zonja Kryemadhi e konsideroi kryeministrin Edi Rama si një fenomen, i cili sipas saj, ka varfëruar shqiptarët dhe i largoi të rinjtë nga vendi. Ajo shtoi se më 25 prill do të sjellë ndryshim.
“Ndërkohë që sot njerëzit nuk kanë më dëshirë ta shikojnë jo si individ por si fenomen. Sepse është fenomeni që i varfëroi shqiptarët, i largoi shqiptarët nga Shqipëria, i largoi të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria. Prandaj dhe angazhimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me 25 prillin. 25 prilli ka të bëjë me ndryshimin për të ndëshkuar çdo njeri që nuk mban fjalën, çdo politikan që nuk iu përgjigjet. Socialistët e Përmetit shikojnë më shumë socialist Vangjel Tavon sesa Bledi Çuçin”, – tha ajo.
Ndërkohë po dje nga qytetit i Memaliajt ndërsa ndodhej për një takim elektoral, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur e bindur në fitoren e opozitës në qarkun e Gjirokastrës në 25 prill. Madje, zonja Kryemadhi garantoi se angazhimet e opozitës do të çohen deri në fund nëse qytetarët e besojnë me votë.
Diskutime rreth kësaj post