Në çerekfinale të UEFA Champions League do të ketë duele mjaft interesante, të denja për finalen. Më me fat tek goglat ishte Çelsi që “peshkoi” Porton. Skuadrat që kanë mbetur në garë në Ligën e Kampioneve njohën dje kundërshtarët që do të kenë përballë në ndeshjet e mbetura deri në finalen e majit të turneut më të famshëm për klube në kontinent. Sfida që do të dhurojnë përplasje spektakolare e padyshim emocione të shumta, pasi ekipet në garë janë ndër më të njohurat e botës.
Në garë janë fituesit në fuqi të turneut në vitet e fundit si Bajerni i Mynihut, Liverpuli e Reali i Madridit, por edhe surpriza si Porto që eliminoi Juventusin duke dhuruar të papriturën më të madhe të turneut. Shorti i çerekfinaleve ka dhuruar dy përplasje “bombë”, pasi janë përsëritur finalet e viteve 2018 dhe 2020. Kështu, Reali i Madridit do të përplaset përsëri me Liverpulin të cilin e mposhti në finale tre vite më parë, ndërsa Bajerni i Mynihut do të vihet kundër PSG-së, të cilën e mposhti në finale në edicionin e kaluar.
Pra ka duele sa interesante aq dhe të vështira. Padyshim, fituesi i çiftit Bajern-PSG llogaritet të jetë pretendent absolut për të marrë trofeun. Këtë edicion francezët janë shumë të fortë, por edhe gjermanët janë në një moment të mirë. Ndërkohë, dueli midis Realit të Madridit dhe Liverpulit pritet të jetë i ndezur në maksimum. Shumë ish-lojtarë të të dyja skuadrave e kanë komentuar shortin e djeshëm dhe besojnë se skuadrat e zemrës do të triumfojnë. Madje nuk lihet jashtë vëmendjes as dueli midis mbrojtësit Serxhio Ramos të Realit dhe sulmuesit Mohamed Salah të Liverpulit, i cili tre vjet më parë rezultoi mjaft i dëmshëm për egjiptianin që dëmtoi shpatullën.
Dy ekipet janë përballur më së fundmi në finalen e turneut në vitin 2018, me triumfin madrilen falë “bëmave” të Karius, por edhe një përplasje që asokohe hapi shumë diskutime, atë mes Ramos dhe Salah. Mbrojtësi madrilen tërhoqi në tokë futbollistin e të kuqve dhe ky i fundit dëmtoi shpatullën duke u detyruar të dalë nga fusha e lojës. Shumëkush akuzoi Ramos se e bëri me dashje një gjest të tillë për ta dëmtuar, një diskutim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Pikërisht këtij episodi i është kthyer sot një nga legjendat e Real Madrid, Roberto Karlos, i cili e ka komentuar me humor përballjen e Champions mes dy skuadrave.
“Salah as që do t’i afrohet Serxhio Ramosit”, tha duke qeshur ish-futbollisti. “Por ai do të jetë një episod për të cilin do të flitet shumë në vijim. Do të luajmë kundër një ekipi të mirë. Ndeshja e parë është në shtëpi. Reali po kalon një moment forme të mirë dhe duhet ta vendosë kualifikimin që në shtëpi”, theksoi ai. Theksojmë se Liverpuli ka në fokus trofeun, pasi në Premier League s’ka shans të fitojë titullin. Për të tjerët ka objektiva në kampionat dhe në UEFA.
Diskutime rreth kësaj post