Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia ka koemtuar situatën politike në vend pas nisjes së sezonit të ri parlamentar, pjesë e të cilit tashmë është edhe opozita.
Qefalia tha se bashkëpunimi i përmendur nga Rama, me opozitën, vlen për çështje madhore që kanë rëndësi për vendin, duke nisur me ndryshimet Kushtetuese për shtyrjen e afateve të Komisioneve të Vetingut.
“Në fakt seancat e para janë më shumë informuese për komisionet dhe grupet parlamentare, janë më së shumti çështje organizative. Seanca e djeshme ishte vijim i përplasjes për çështjen e Komisioneve, se ku do të pozicionoheshin dhe deputetët e LSI. Pati kontestime për çështjen e mbajtjes së komisioneve online, besoj se është një gjë që do të tejkalohet, nuk ka pse të ketë kundërshti të tilla. Komiteti i Ekspertëve ka kërkuar që mbledhjet e Komisioneve të jenë online.
Ne nuk presim që të kemi një opozitë që të duartokasë, opozita ka mision kontestuese, ajo çka kryeministri ka thënë që në krye të herës, është një bashkëpunim për çështje të mëdha, që i takojnë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi vullnetin e qytetarëve që na kanë besuar për ti drejtuar. Në këtë aspekt kërkohet shtrirja e dorës, në këtë kontekst kemi pasur bashkëpunim dhe konkret në Kuvend, me shtyrjen e ligjeve të Reformës në Drejtësi, që janë me interes kombëtar”, – u shpreh Qefalia.
Sa i takon qeverisë së re, Qefalia tha se emrat nuk janë të rëndësishëm, dhe se roli i individit është në dorë të dytë.
“Unë mendoj se nuk është shumë e rëndësishme, nëse janë 12 gra apo 4 burra, kjo është një shenjë emancipimi që në PS ka kohë që është futur si trend, që ka një frymëmarrje më të madhe të pjesës së gjinisë femërore, ajo që është e rëndësishme është vënia në jetë e atyre detyrave që ne i quajmë program pune, dhe jo fushatë siç i ka konsideruar PD. Roli i individit ka rëndësi të dorës së dytë“, – tha deputeti socialist.
Ndërkohë që sa i takon zërave për përçarje brenda socialistëve, Qefalia i mohoi duke thënë se në rast se do të ishin prezente, do të bëheshin publike.
“Ndoshta është në detyrën tuaj, për të thënë që ka një luftë të brendshme, nuk di të ketë një gjë të tillë. Ka një dakordësi që qytetarët mezi presin që të realizojmë ato që kemi premtuar në fushatë. Vetëm në Tiranë janë ngritur 10 shkolla të reja brenda një viti. Kjo është gjëja që ndjejnë qytetarët, nëse ka luftë të nëndheshme, iu mbetet gazetarëve. Unë shpresoj që burimet e gazetarëve të jenë të besueshme dhe jo të shterueshme, nëse do të ketë kundërshti patjetër që do të bëhen publike”, – deklaroi më tej Qefalia.
Diskutime rreth kësaj post