Mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt nuk ka patur asnjëherë pëlqim reciprok gjatë viteve të shkuara.
Nën shembullin e keq të liderëve të mëparshëm dhe tendencës për të ndikuar në politikën e Kosovës, edhe Rama kishte të përzgjedhurin e tij në Prishtinë. Ishte pikërisht Hashim Thaçi, dhe kjo jo vetëm për shkak të pozicionimit politik të PDK-së.
Kjo mos pëlqyeshmëri mes Haradinajt dhe Ramës është vërejtur edhe gjatë periudhës kur Ramushi u ngjit në krye të shtetit të Kosovës pas një kalvari gjyqesh dhe thikash pas shpine që vinin shpesh edhe nga Prishtin, megjithatë ata bënin sikur e honepsnin njeri-tjetrin para syve të shqiptarëve përmes mbledhjeve të famshme të përbashkëta, të cilat në vetvete nuk nxorrën asgjë në dritë përveç disa fotove dhe deklaratave boshe.
Haradinaj tashmë gjendet nën një presion të madh ndërkombëtar, të cilët për hesapet e tyre gjeopolitike i kërkojnë Kosovës të harrojë ç’ka ndodhur dhe çfarë ka bërë Serbia ndaj tyre dhe të heqin taksën e vendosur nga Haradinaj.
Kësaj toge presion bërësish çuditërisht i janë bashkuar edhe Rama me Hashim Thaçin duke e projektuar me kast Haradinajn para ndërkombëtarëve si të “pagdhendurin e lagjes” që “nuk merr vesh nga bota”.
Kështu ka ndodhur edhe në Samitin e Berlinit, kur “gjapri” me një nuhatje të fortë politike dhe nën presionin e Gjykatës Speciale është gati të japë çdo gjë vetëm që të shpëtojë pushtetin e tij, si edhe Rama, një kryeministër me një mal me halle në vendin e tij, i treguan botës se për pak vëmendje nga kancelaritë europiane mund t’i bëjnë edhe gjëmën njeri-tjetrit.
Kështu pra, siç tha edhe Haradinaj, Rama me Thaçi paskan qenë më të ashpër ndaj tij për heqjen e taksës se sa vetë Vuçiçi që e pëson mbi kurrizin e tij presionin e prodhuesve serb.
Deklaratat e djeshme mes Ramës dhe stafit të Haradinajt treguan se ai mos pëlqim në heshtje mes dy liderëve ka dalë haptazi dhe praktikisht nga filluar një “luftë e ftohtë” mes tyre. Wshtë një “luftë” mes djalit të përkëdhelur të ish-Bllokut që bënte qejf plazheve të Francës kur Kosova digjej dhe një malsori që humbi disa vëllezër dhe pjesë të trupit përballë gjakatarëve serb.
Ndonjëherë, raportet nuk duhen parë mbi parimin e real politikës, dhe çështja Kosovë-Serbi duket të jetë e tillë. Ajo kalon përtej një takse dhe disa qindra milion eurove të humbura nga serbët, pasi në mes janë mijëra të zhdukur, të vrarë, të përdhunuar dhe të sakatuar. /albeu
Diskutime rreth kësaj post