Nga Mero Baze
Vendimi i Partisë Demokratike për të mos i dhënë rivalit të Lulzim Bashës në dispozicion, listën e votuesve të Partisë Demokratike, nuk është më një faj i Lulzim Bashës. Në pamje të parë ai duket një vendim arrogant, që do të dekurajojë çdokënd që mendon se mund të garojë në atë parti. Por në fakt vendimi synon të kompromentojë rëndë garën e rivalit të Lulzim Bashës, Eduard Selami.
Mbi Eduard Selamin janë lëshuar shumë akuza, si kandidat fallco, si fasadë, apo si njeri që po i shërben Bashës, për ta pasur garën e lehtë.
Në fakt, Eduard Selami nuk i meriton këto etiketime, pasi ai ka hyrë në një garë të pabarabartë, mes të tjerash, për ta identifikuar atë si të tillë. Dhe deri tani ja ka arritur. Prania e tij në atë garë ka provuar se nuk ekziston asnjë rregull gare, asnjë standard dhe në fund, asnjë listë votuesish.
Kjo e fundit po bëhet nga Basha, pikërisht për të kompromentuar Selamin dhe për të rënduar mbi të, faji i vazhdimit të garës, para zgjedhësve që i njeh vetëm një palë.
Pyetja e parë që i bëhet në këtë rast Komisionit të Zgjedhjeve në PD, pasi dëgjon arsyetimin e tyre absurd, është se, ku e gjejnë ata të drejtën që Lulzim Bashën ta quajnë njeri të sigurtë, që nuk e “spiunon” listën e PD, ndërsa Eduard Selamin e quajnë të pasigurt dhe nuk ja japin listën.
Në një farë mënyre, të gjithë aktorët janë të barabartë dhe para standardesh të njëjta. Si mund të quhet garë mes dy rivalëve një parodi, ku një aktor formon vet një trup votuese dhe nuk ja tregon askujt, kurse rivali i tij nuk di gjë fare se kush do ta votojë.
Ky nuk është kompromentim i garës. Kjo është përpjekje për të korruptuar Eduard Selamin dhe për ta bërë atë përgjegjës për farsën që po organizohet.
Pak a shumë po ndodh siç ndodhi me Olldashin më 2013, kur Lulzim Basha të martën në darkë shkoi qau në zyrën e Berishës, se ai po e mundte me të “fortë”, dhe të enjten Berisha dhe Basha prodhuan fletë votimi me numër rendor për të identifikuar çdo votues, pasi Berisha i kërcënoi. Olldashi me naivitet e pranoi këtë provokim, duke u mjaftuar me talljen që bëri pasi votoi, duke treguar numrin rendor të fletës së votimit. Por në fakt bëri një dëm të madh, pasi legjitimoi një farsë, që u kthye në standard në Partinë Demokratike.
Katër vjet më vonë Basha ka avancuar. Nëse Olldashi e mori në dorë listën, por i vunë numër rendor në fletën e votimit, Luli po shkon dhe më tej në provokim, duke e futur rivalin në qoshe të murit, duke i mbyllur sytë dhe duke i thënë, tani do të durosh “shuplakat” e atyre që do të votojnë kundër.
E gjithë bëhet jo se Basha e ka të vështirë të shpallet fitues, por duhet doemos të shpallet si noterizues i farsës edhe Eduard Selami. Shpresoj mos ta pranojë. Ka kohë një javë të shpëtojë veten, se PD nuk e shpëton dot më.
Diskutime rreth kësaj post