Gjendja shëndetësore e liderit historik të PS dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, është përmirësuar një ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale për t’i lehtësuar frymëmarrjen.
Burime nga spitali, konfirmojnë gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit aktualisht është e mirë.
Në ditën e 10 të shtrimit në spital si pasojë e problemeve me frymëmarrjen, parametrat jetësore të Nanos paraqiten më mirë se ditët e mëparshme.
Për t’i lehtësuar furnizimin me oksigjen, mjekët i kanë bërë hapje kirurgjikale të trakesë ku kanë vendosur një tub plastik në fyt.
Një ditë më parë, burimet spitalore thanë se ish-kryeministri socialist Fatos Nano, vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.
Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen.
Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital të enjten e 24 gushtit 2023, pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen.
Ish-kryeministri ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë.
Teksa lideri historik i PS-së po kalon ditë të vështira në spital, ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.
Në reagimin e tij në rrjete sociale për shëndetin e Nanos, kryeministri Rama shkroi se lutjet dhe mirënjohja e tij, por dhe e të gjithë socialistëve shkojnë për të për gjithçka të mirë, mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.
Nano është një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste.
Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut.
Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën.
Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet.
Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.
Diskutime rreth kësaj post