Teksa Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për përgjimet e Antimafias italiane për “Ndragheta-n”, ku mafiozët italianë pretendonin se kishin kontakte edhe me zyrtarë në Shqipëri, avokat Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të forta.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela është shprehur se çështja e përgjimeve të Ndranghetas ku janë të përmendur edhe politikanë shqiptarë do të shkojë edhe më tej, ndërsa theksoi se sipas tij, klasa politike e korruptuar, po kërkon hapësira politike lindore drejt Rusisë, Turqisë dhe Kinës sepse po rreket t’i shpëtojë hetimit të krimeve që ka kryer.
“Ne duhet të pranojmë faktin që Shqipëria sot është brenda konceptit të interesit të ngushtë të politikës amerikane. Kurse, klasa politike e korruptuar, po kërkon hapësira politike lindore drejt Rusisë, Turqisë dhe Kinës. Sepse po rreket t’i shpëtojë hetimit të krimeve që ka kryer. Po ta shohësh nën një prizëm realist, duhet të shprehësh mendimin se, duke qenë të rrezikuar nga reforma antikorrupsion, liderët e korruptuar të të dy partive të mëdha dhe klientelë e tyre mafioze, po kërkojnë hapësira lindore për të dalë nga presioni kontrollues perëndimor i Uashingtonit dhe Berlinit. Nën një prizëm logjik, kuptohet se kjo përpjekje është thjesht një përpjekje interesi personal, por mundësia e daljes nga kontrolli është zero. Në fakt, e gjithë historia e Shqipërisë ka qenë një aventurë personale liderësh të korruptuar që kurrë nuk kanë pranuar të qëndrojnë brenda konceptit demokratik të kontrollit ligjor antikorrupsion”, – shkruan ai.
Më tej gjatë analizës së tij të hollë, avokat Ngjela u shpreh se procesi hetimor do fillojë me emrat e kryeministrave, ministrave dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të korruptuar në Shqipëri, ndërsa zbuloi se fundi i këtyre është i pashmangshëm, pasi në lojë tashmë sipas tij, ka hyrë shërbimi sekret gjerman dhe FBI.
“Përfundimisht, për faktin se lufta kundër Ndrangheta-s në Itali ka nisur me intensitet të madh, kuptohet përse BND gjermane ka folur hapur për lidhjet e Ndrangheta-s italiane me Shqipërinë. Dhe kjo, sepse në analet e shërbimeve ka rezultuar ndërveprimi midis korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë dhe pastrimit të parave që ka bërë dhe po bën Ndrangheta në Shqipëri. Po emrat e të korruptuarve të paskrupull të politikës së lartë në Shqipëri, kur do të fillojë t’i jepen mediatikisht shoqërisë shqiptare? Ky proces sigurisht që do të fillojë me emrat e kryeministrave, ministrave dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të korruptuar, në 25 vjet korrupsion shqiptar tashmë i provuar”, – nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post