Takimi i të dërguarit special amerikan Gabriel Escobar me liderët opozitarë kosovarë ka përfunduar rreth orës 21.00.
Mësohet se ky takim që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, filloi nga ora 19:00.
Ai takoi kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Escobar vjen në Kosovë në një situatë të tensionuar, që është bërë edhe më e thellë, pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje në Bruksel, ku javën e kaluar u takuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiç.
Nesër në ora 16:00 në Zyrën e BE-së në Prishtinë, emisari Miroslav Lajcak do të jetë mikpritës i takimit me opozitën.
Bashkë me Lajçak do të jetë edhe një përfaqësues i Zyrës së BE-së, ndërkohë që te ftuar do të jenë edhe pala amerikane Gabriel Escobar dhe Ambasadori Jeff Hovenier.
Nga opozita do të jenë PDK, LDK e AAK, respektivisht Memli Krasniqi dhe një zyrtar i PDK-së, Lumir Abdixhiku me një zyrtar nga LDK dhe Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga një zyrtar i AAK-së.
Liderët opozitarë një takim të ngjashëm e kanë pasur sonte në ambasadën amerikane ku kanë qenë të ftuar për darkë me të dërguarin e SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar.
Dy emisarët e BE-së dhe SHBA-së po qëndrojnë në rajon në përpjekje për të arritur një marrëveshje për targat dhe dokumentet e udhëtimit. Pas Prishtinës, të enjten, ata do të priten në Beograd.
Diskutime rreth kësaj post