Pas ndërprerjes së mbledhjes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit dhe largimit të mazhorancës nga takimi, opozita vijoi komunikimin live nëpërmjet ‘Facebook’.
Gjatë këtij komunikimi, deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit nuk ka qenë të lira dhe të ndershme, pasi sipas tij shteti është shkrirë me partitë.
“Theksoj se evidentohet qartë prishja e ndarjes së qartë midis shtetit dhe partisë në pushtet. Partitë nuk duhet të shkrihen me shtetin, por ka ndodhur e kundërta e asaj që kërkon OSBE. Më 25 prill shteti ka hyrë në lojë dhe kur shteti hyn në lojë nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.
I ndalur tek blerja e votës, Bylykbashi tha se ky ka qenë një fenomen masiv, ndërsa theksoi se epiqendra e shpërndarjes së parave ishte Bashkia Durrës
“Më datë 4 shkurt kanë miratuar me urgjencë listën me 806 familje me një fond prej 2 milion euro kesh në llogari të tyre. Gjithashtu Bashkia Durrës ka ndryshuar edhe kategoritë e dëmtimit, madje ka të dhëna që familje që nuk janë identifikuar me herët janë futur në listë pak ditë përpara zgjedhje. Megjithëse Durrësi ishte epiqendra, kjo çështje u shtri në shumë vende”, tha më tej ai.
Ndërkohë kreu i Komisionit, Enkelejd Alibeaj tha se mbledhja e radhës do të mbahet në 29 tetor në orën 10:00.
“Ky është hapi procedural i cili duket se ana e shumicës do ta pengonte. tashmë jemi futur në substancë të veprimtarisë së Komisionit. Në mbledhjen e radhës është detyrim të shpërndajmë kërkesat zyrtare për të marrë informacionin në rrugë zyrtare”, tha Alibeaj.
Sa i përket zgjedhjet së sekretarit, Alibeaj tha se nuk mund të hidhet në votim për shkak të mungesës së shumicës, duke përfunduar në këtë mënyrë mbledhjen.
Diskutime rreth kësaj post