Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur mesditën e kësaj të diele Asamblenë e degës së Partisë Socialiste të Vlorës. Mbledhja që u zhvillua në teatrin “Petro Marko”, mësohet se ka pasur si temë përplasjet e fundit mes kryetarit të Bashkisë Dritan Leli dhe Këshillit Bashkiak.
Ndërkohë mësohet se Rama ka deklaruar se ishte një takim i detyruar dhe se ka zgjedhur të jetë deputet i Durrësit, por se do të vazhdojë të jetë në Vlorë për të bërë dhe më shumë.
“Ishte një takim i detyruar si rezultat i mbarimit të një beteje të rëndësishme që ne e fituam këtu në qarkun e Vlorës duke arritur objektivin dhe si nevojë për t’iu thënë se unë vërtetë kam zgjedhur të kem deputeti i Durrësit, por unë do të vazhdoj të jem në Vlorë siç kam qenë, pa asnjë lloj ndryshimi, madje për të bërë edhe më shumë sepse me Vlorën nuk më ka lidhur mandati i deputetit dhe nuk më ndan ndarja e mandatit. Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë intensivisht punën në Vlorë, në gjithë qarkun, si në të gjithë Shqipërinë, por këtu kemi shumë sfida. Sa i përket administrimit të vogël jam realisht i shqetësuar, jo vetëm për Vlorën, por për bashkitë që kanë detyrime ekstra dhe që janë të lidhura me industrinë e turizmit”.-tha Rama.
Konflikti mes Lelit dhe socialistëve të Vlorës është ndezur shumë kohët e fundit, duke sjellë konflikte institucionale. Madje edhe marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe Dritan Lelit ka kohë që janë të ngrira, sidomos pas refuzimit që drejtuesi i Bashkisë Vlorë i bëri ftesës për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në listën e PS. Në mbledhjen e Asamblesë janë diskutuar edhe rezultatet në zgjedhjet e 25 Prillit.
Diskutime rreth kësaj post