Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka firmosur sot propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, për veprat penale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme, vijnë si nevojë e problematikave që janë hasur në zbatim të legjislacionit për veprat penale në fushën e drogës.Drafti i është dorëzuar mesditën e kësaj të premte Këshillit të Ministrave dhe së shpejti pritet t’i kalojë për shqyrtim komisionit parlamentar të ligjeve, për t’iu drejtuar më pas seancës së Kuvendit për miratim.
Në argumentimet që parashtrohen në draft, theksohet se neni aktual 283 i Kodit Penal është më problematiku në zbatimin e tij nga prokuroria dhe gjykata. Në këtë nen propozohet që konsumi dhe mbajtja për përdorim vetjak e një sasie të kufizuar lënde narkotike të konsiderohet shkelje administrative dhe jo penale, duke u bazuar edhe në praktikën e shumë vendeve europiane.
Sipas draftit, për 70 përqind të personave konsumatorë të narkotikëve që policia kap, nuk procedohen penalisht nga prokuroria.
Po në nënin 283 sugjerohet që mbajtja dhe shitja e lëndëve narkotike mbi sasinë e përcaktuar nga ligjvënësi dhe që gjithsesi konsiderohet e vogël, të ketë dënim më të ulët se mbajtja apo shitja në sasi të mëdha.
Ndërkohë, në nenin 284, përveç kultivimit të narkotikëve propozohet të përfshihet edhe tregtimi i farërave. Ashtu si për nenin 283, edhe këtu propozohet një përshkallëzim i dënimeve në bazë të rrezikshmërisë së veprës penale.
Sa më e madhe të jetë sasia e bimëve të kultivuara aq më i lartë do të jetë dënimi, por se cilat janë sasitë e vogla, të mëdha dhe shumë të mëdha, këto do të përcaktohen me ligj të veçantë njësoj si për lëndët narkotike në nenin 283.
Ndërkohë sugjerohet që subjekt i ligjit antimafia për hetimin pasuror të jenë edhe rastet e kultivimit në sasi të mëdha, ose rasteve të organizimit dhe financimit të kësaj verimtarie.
Në draft theksohet se të gjitha këto ndryshime të propozuara në Kodin Penal, është e nevojshme të shoqërohen me miratimin edhe të një neni transitor që do të sanksionojë zbatimin e neneve të mëparshme deri në miratimin e ligjit për përcaktimin e sasive të lëndëve dhe bimëve narkotike që do konsiderohen për konsum vetjak, në sasi të vogla dhe në sasi të mëdha.
Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, paralajmëroi ashpërsim të dënimeve në Kodin Penal për kultivuesit dhe trafikantët e lëndëve narkotike.
“Shitja e tregtia e lëndës narkotike vepër penale e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burg për sasi të vogla, e 1 deri në 10 vjet burg në sasi më të mëdha”, theksoi Tahiri.
Dënimet do të ashpërsohen dhe për kultivuesit. “E njëjta gjë do vlejë edhe për kultivimin e bimëve narkotike, pra një dispozitë e veçantë për importimin, eksportimin, tranzistimin, mbajtjen blerjen e shitjen e farave të kanabisit. Do denohet nga 3-7 vjet, kultivimi në sasi mesatare, kultivimi në sasi që nuk janë më të vogla do dënohet me 1-3 vite, kultivimi në sasi të mëdha nga 5-10 vjet”, vijoi ai.
Ja dënimet për trafikantët dhe kultivuesit
1- 3 vjet burg për sasitë e vogla
3- 7 vjet burg për sasitë mesatare
5- 10 vjet burg për sasitë e mëdha
Dënimet sipas sasive të drogës
1- 5 vite burg për sasitë e vogla
10 vite burg për sasitë e mëdha
Dënimet për konsum vetjak
-Shkelje Administrative – Dënim me gjobë
Diskutime rreth kësaj post