Nga Arbana Xharra
Më duhet t’i përgjigjem Sali Berishës, për shkak të respektit që kam për lexuesit e gazetës dhe të atyre mijëra qytetarëve të shtetit tim, të cilët në faza të ndryshme të jetës së tyre kanë besuar te ai.
Është e pazakontë që një ish-president, i larguar nga pushteti duke djegur vendin e tij, dhe një ish-kryeministër i larguar nga pushteti me një bilanc të rëndë të vrasjeve nga korrupsioni dhe pushkatimeve politike në mes të Bulevardit të replikojë publikisht për statusin e një gazetareje si unë.
Unë nuk jam personalitet politik kombëtar apo ndërkombëtar që t’u kushtohet rëndësi edhe postimeve në rrjetet sociale. Unë jam gazetare dhe është normale që të reagohet ndaj shkrimeve të mia dhe jo ndaj mendimeve të mia. Ky është një mbivlerësim që, megjithatë, nuk e meritoj.
Ajo që nuk kemi merituar si gazetë “Zëri” është padia, të cilën djali i Sali Berishës ia ka bërë disa vjet më parë, rreth një shkrimi hulumtues për linjën e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, ndërhyrja e të cilit kishte detyruar Sali Berishën të anulonte tenderin që nuk po shkonte tek kompania, të cilën ai e dëshironte. Ka pasur për këtë shqetësim zyrtar dhe nga qeveria gjermane dhe në një letër të ish-ambasadores gjermane në Tiranë që, sipas shtypit, ka përmendur dhe ndërhyrjet e djalit të Sali Berishës për këtë tender. Djali i Sali Berishës na ka paditur dhe nuk e ka fituar këtë gjyq ndaj gazetës, të cilën unë e drejtoj. Ky është i vetmi ballafaqim imi me të.
Përtej kësaj, përgojimi që Sali Berisha ia bën gazetës “Zëri” duke e quajtur “Zëri i Popullit” në analogji me gazetën e ish-komunistëve shqiptarë, dua t’i them se “Zëri” është një gazetë e pavarur dhe shumë rëndësishme e Kosovës.
Sa për të qenë komuniste si gazetare, dua t’i them Sali Berishës se unë punoj prej 16 vjetësh si gazetare, gati sa gjysma e kohës që ju keni qenë komunist i Partisë së Punës së Shqipërisë. Edhe sikur “Zëri” të ishte vërtet komuniste, nuk do të mundë të krahasohesha me ju.
Sa i përket raporteve të mia me Edi Ramën, për ato i di më mirë lexuesi i gazetës i cili lexon qëndrimet tona kritike për të dhe sidomos për qëndrimin e fundit të tij në takimin e Nishit me Aleksandër Vuçiqin. Madje shkrimet e mia i kanë botuar në ballinë ato që quhen “Portale të Shkëlzenit” në Tiranë, duke më cituar si “gazetarja që ka dekoruar Obama kundër Edi Ramës”.
Të lutem ki mirësinë të mos e quash tash dhe Michelle Obamën “Ndrikull” të Sorosit vetëm pse më ka dekoruar dhe ka dalë në foto me mua, edhe pse dëshira juaj për të qenë edhe unë aleati i një armiku tuaj, më bën të qesh dhe të kuptoj çdo të thotë të kesh qenë tridhjetë vjet komunist, stalinist në Shqipëri. Me logjikën tënde unë jam agjente e Sorosit, me logjikën e mikut tënd Erdgan jam e Gylenit, me logjikën e Vuçiqit jam ushtare e Thaçit, ndërsa për këta krerët shqiptarë të ISIS-it jam agjente e SHBA-së. Kjo është mënyra si mendojnë udhëheqës paranojakë, të cilët urrejnë lirinë e shtypit dhe njerëzit e lirë. Unë argëtohem me tipa të tillë.
Sa i përket drogës në kohën tuaj, në Shqipëri, gazeta ime ka një reportazh të gjatë nga Lazarati, me fakte konkrete nga terreni dhe me deklarata mallëngjyese të prodhuesve për parajsën tuaj politike atje. Kjo nuk e nderon Edi Ramën që ka humbur kontrollin mbi territorin pas mbylljes së Lazaratit, por nuk ju bën aspak të besueshëm. Më së paku më dukesh si një investitor i dëshpëruar i industrisë së drogës.
Në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, dua të flas pak edhe për rolin tuaj lidhur me nevojën për t’i përdorur politikisht lidhjet me botën myslimane. Ne jemi të dy nga krahina e Gjakovës, pavarësisht se na ndan një kufi shtetëror. Emri juaj në Kosovë ka qenë si shpresë në fillim të viteve ’90-të kur ne kërkonim ndihmë nga Perëndimi për t’i shpëtuar Serbisë. Shqipëria nuk kishte shumë mundësi të na ndihmonte fizikisht dhe materialisht, por mund të na ndihmonte politikisht duke tentuar të bëhej një vend proevropian, me standarde perëndimore. Pesë vjetët e qeverisjes suaj ia hoqën Shqipërisë shanset për të qenë një vend perëndimor, e përfshin atë në listën e zezë të vendeve që kontrabanduan naftë për regjimin nën embargo të Millosheviqit, siç vetë edhe e ke pranuar, deformove demokracinë në Shqipëri dhe u armiqësove me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund kur e pa vetë se nuk kishe ku të shkoje, ke bërë dy gjëma të mëdha për kombin shqiptar.
E para, ke dashur të eksportosh krizën tënde politike në Kosovë, duke tentuar të minosh autoritetin e presidentit Ibrahim Rugova me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe e dyta, ju dorëzove ushtarëve të Allahut të Bin Ladenit, duke pajisur me pasaportë të shtetit shqiptar vëllanë e Al Zawahrias, pasuesit të Bin Ladenit në krye të “Al Qaeda”-s dhe dhjetëra drejtuesve të logjistikës kriminale të asaj organizate. Ke tentuar sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të tu të lidhesh në vitin e zi – 1997 me krahun radikal të “Al Qaeda”-s për të shpëtuar nga humbja e pushtetit dhe bash për këtë ke qenë duke e varrosur Kosovën. Ikja jote nga pushteti ka qenë fati i Kosovës dhe izolimi juaj deri në çlirimin e Kosovës dhe disa vite më pas ka qenë nevojë për të shpëtuar nga një ngatërrestar ballkanik. Ibrahim Rugova nuk ta hapi derën në vitin 2000 për të ardhur në Kosovë në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe kjo nuk ka qenë hakmarrje për çfarë i ke bërë, por një vendim i një lideri properëndimor të kombit shqiptar që e ndante nga ty, përpjekja për ta djegur Shqipërinë dhe Kosovën që të shpëtoje karrigen tënde.
Kjo është historia jote e vërtetë me Kosovën dhe shqiptarët. Unë nuk jam e sigurt nëse ajo fjala e urtë “si nena e Zeqos në maje të thanës” që ju e përdorni për mua është korçare apo jo, por jam gati ta quaj edhe gjakovare kur shikoj çfarë degradimi ka njeriu që 25 vjet më parë ngjallte shpresa në Kosovë dhe në Shqipëri. Zoti e ka ruajtur Shqipërinë dhe Kosovën nga udhëheqës si ju. Dhe shpresoj se do ta ruajë edhe në të ardhmen.
Diskutime rreth kësaj post