PËR ATA QË QAJNË DHE GËZOHEN NGA IKJA E BEN BLUSHIT
Nga Astrit Patozi
Ka një dëshpërim të tepruar dhe të papërligjur për dorëheqjen e papritur të Ben Blushit. Ata që janë të keqardhur po e quajnë atë si një aksion politik të dështuar dhe gati po thonë se kjo është prova më e mirë se ky vend nuk bëhet.
Edhe vetë teksti i Blushit që shoqëronte vendimin i ka ndihmuar ata që të arrijnë në një përfundim të nxituar.
Megjithëse i jap të drejtë në disa aspekte, nuk jam dakord me parashtrimin e tij pesimist, i cili me shumë mundësi është ushqyer nga zhgënjimi prej një pritshmërie jo vetëm personale.
Natyrisht, janë të shumtë edhe ata që janë gëzuar para kohe. I përfytyroj sa të lumtur ndjehen, jo thjesht se kanë hequr qafe një rival apo oponent të bezdisshëm, por mbi të gjitha se mund ta përdorin atë si shembull për të dekurajuar këdo tjetër që mund të mendojë të prishi rehatinë e sulltanatit. Të cilët, pa asnjë diskutim, nuk janë të gjithë nga e majta.
Ndërsa unë mendoj të kundërtën. Që LIBRA është një histori për t’u konsideruar që të besosh më fort se kjo xhungël e egër politike mund të ndryshojë. Dhe se kjo është e vetmja rrugë për të nisur një lëvizje reformatore, që ta ndalë të keqen në këtë vend. Megjithë dilemat, mëdyshjet dhe kufizimet që mund të ketë pasur ajo, si forca më e re politike në Shqipëri.
Sepse ishte e vetme kundër të gjithëve dhe në një kohë fare të shkurtër arriti të jetë parti konkurruese. Pa llogaritur këtu copëtimin e votave nga dinosaurët e komisioneve të numurimit. Por nuk po i futem fare asaj llogarie.
Nuk dua ta quaj sukses, që të ruaj sensin e realizmit, por arritje sigurisht që po. Me plot gojën madje. Natyrisht ikja, qoftë edhe e përkohshme, e Blushit nga politika nuk është një lajm i mirë për këtë shoqëri. Por si çdo e keqe që nuk vjen vetëm për keq, ajo mund të shërbejë edhe si moment reflektimi për këdo, për të parë më mirë se ku jemi katandisur.
LIBRA ishte përpjekja e parë serioze për të goditur drejtpërdrejt sistemin tonë të kalbur politik dhe jam shumë i sigurt që nuk do të jetë e fundit.
Sipas meje, ajo meriton respekt dhe vlerësim edhe pse nuk arriti të çojë në parlament asnjë deputet. Por ndoshta më mirë, se ky parlament është më domethënës dhe më kuptimplotë pa zërin e Ben Blushit. Sepse është pasqyra më e qartë e kalbëzimit të partive tona kryesore, të cilat sot dallojnë nga njëra-tjetra vetëm nga pozicioni që kanë në raport me tepsinë.
LIBRA ishte një eksperiment i shkurtër për të provuar edhe një herë se liria funksionon edhe në kushte të rënda.
Diskutime rreth kësaj post