Qeveria promovoi një tjetër vepër infrastrukturore në fushën e transportit, atë që do jetë e para autostradë në vend me 130 km/orë.
Bëhet fjalë për segmentin rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu.
Ministrja e linjës, njëherësh zv.kryeministrja Belinda Balluku, theksoi se nga 300 km që janë në total në Shqipëri, është hapur gara për 114 km, të cilat i përkasin aksit Milot-Fier dhe do të jenë të segmentuara dhe të ndërtuara sipas parametrave të BE-së. Ajo shtoi se krahas ndërtimit të autostradës, do të ndërtohen edhe segmente dytësore.
“Korridori Blu adriatiko-jonian do të lidhë Europën e veriut, Italinë me Europën Juglindore Shqipëri-Greqi, por nis nga Kroacia.
300 km në total korridor shqiptar, ndërsa gara është hapur për 114 km.
Të parat nga Miloti në Fier kemi vendosur ta segmentojmë duke u dhënë mundësi kompanive garuese. Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj e Fier janë akset përbërëse të këtij korridori që ne sot po i lançojmë për ndërtimin e tyre, ndërsa në Thumanë-Kashar ka nisur puna, nga Miloti-Muriqan po presim projektimin.
Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë kërkesë teknike që kemi pasur që të ndërtohet sipas parametrave të BE-së.
Segmentet do të ruajnë parimet kryesore, ndërtimi i tyre nuk ka ndërvarësi nga njëri-tjetri, kanë fizibilitet financiar si segmente të shkëputura dhe nuk shton koston totale të segmentit 114 km.
Të gjitha segmentet do të jenë të shoqëruara me rrugë dytësore në përmbushje të parametrave të sigurisë rrugore, shpejtësia në aksin me pagesë, do të jetë nga 90-130 km në orë”, shpjegoi ajo.
Më herët, kryeministri Edi Rama shprehu besimin që gara për ndërtimin e aksit Milot-Fier, si pjesë e Korridorit Blu do të jetë e suksesshme, dhe jo me tender të parafabrikuar siç pretendon opozita. Për ilustrim, Rama tregoi se qeveria e tij refuzoi një kompani gjigante, pasi nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte në interes të vendit.
“Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme nga mënyra si është organizuar, sikundër më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar përpara, për gjoja një korrupsion të madh e bla, bla, bla, rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë, sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë, që është interesi i publikut me afate jashtëzakonisht të gjata dhe me disa kërkesa që ne nuk mund t’i plotësonim”.
Korridori Adriatiko-Jonian, i quajtur ndryshe Korridori Blu, është pjesë e Korridorit të madh mesdhetar prej 1560 kilometrash, një projekt rajonal e europian.
Diskutime rreth kësaj post