Qytetarët në Shqipëri ankohen për gjithçka. Ka gjithmonë një çështje që cenon të drejtat e tyre, ndonëse ka edhe nga ata, ankesat e të cilëve janë të pabaza.
“Ankesat më të mëdha gjatë vitit 2016 janë vendet e privimit të lirisë, burgjet, paraburgimet, komisariatet e policisë. Pas kësaj është e drejta e pronës, ankohen për sistemin e drejtësisë, ndihmën ekonomike. Marrim rastin e privimit të lirisë, kjo ka të bëjë me kushtet, me trajtimit që u rezervohet. Gjithashtu kemi qytetarë që nxirren nga skema e ndihmës ekonomike”, u shpreh Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Një numër i madh ankesash vijnë edhe nga gratë në proces divorci, që nuk përfitojnë pensionin që u takon me ligj nga ish-bashkëshortët. Pavarësisht se me ndonjë ndryshim të vogël, problematikat në Shqipëri mbeten thuajse të njëjtat në çdo qytet.
“Ju mund të qeni probleme të mbivendosjeve të pronave në Maliq, në Vlorë, Tropojë, kudo. Ju mund të gjeni probleme të mëdha të sistemit shëndetësor, të mungesës së mjekëve, mungesa e ilaçeve”, u shpreh Totozani.
Rekomandimet e Avokatit të Popullit në 20% të rasteve nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet shtetërore, por ky kapitull sipas Totozanit do të ndryshojë shpejt.
“Me hapjen e negociatave nuk do të jetë më Avokati i Popullit ai që do të ngulmojë për të kërkuar përgjigje, por do të jenë ministrat që do të ngulmojnë për të kërkuar ndihmë nga institucioni i Avokatit të Popullit”, tha Totozani.
Diskutime rreth kësaj post