Për herë të parë Finalja e Conference League e ka mbushur Shqipërinë plot me të huaj disa ditë para datës së ndeshjes.
Holandez dhe italianë, të cilët nuk kanë ardhur në Tiranë vetëm si tifozë, por edhe si turistë. Ronaldin dhe Rendin, dy shokët holandezë të çmendur pas Feynordit i takuam në një nga lokalet e pedonales në kryeqytet. Për ta është vizita e parë në Shqipëri dhe besojnë se nuk do të jetë e fundit.
“Jemi këtu për ndeshjen, por edhe për pushime. Kam lexuar në medie që Shqipëria do të jetë si Spanja për 10 vite, do të ketë turistë çdo vit edhe më shumë sepse është një vend shumë i bukur dhe jo shumë i shtrenjtë për ne. Do të qëndrojmë një javë këtu, kemi rezervuar që 6 muaj më parë dhe po paguajmë vetëm 260 euro. Çdo gjë do të shkojë mirë, kemi ardhur për të bërë qejf, jo rrëmujëra”.
Ndryshe nga holandezët, italianët e njohin më mirë Shqipërinë. Franko është një turist besnik i yni.
“Do të qëndroj këtu 3 ditë dhe është hera e 4 që vij në Shqipëri, një vend që e dua shumë. Në pushimet e fundit isha me gruan time dhe miqtë e mi, në një udhëtim me biçikleta… Është shumë bukur këtu dhe më vjen shumë mirë që për italianët që nuk e kanë vizituar ndonjëherë vendin do të mund ta shohin me rastin e Conference League”.
Por Tirana po pret edhe turistë nga shtete të tjera, veç atyre të skuadrave që luajnë në 25 maj. Britanikët kanë ndryshuar mendim për Shqipërinë gjatë kohës që po kalojnë këtu.
“Reputacioni në Angli për ju nuk është i mirë: Kur thua Shqipëri, sikur ke thënë mafia. Ata mendojnë se këtu duhet të kesh frikë, se është një vend i rrezikshëm. Por ne kemi 5 ditë që jemi këtu dhe njerëzit janë kaq miqësor. Gjithçka është shumë e bukur”.
“100% ndryshe nga sa e prisja! Do të qëndroj edhe për dy javë të tjera. Është brilante që finalja europiane zhvillohet këtu. Ka një atmosferë fantastike”.
Tifozët nuk kanë zgjedhur vetëm kryeqytetin si ndalesën e tyre, por po zbulojnë edhe historinë e Shqipërisë duke vizituar Krujën e duke shijuar ushqimin tradicional.
Por Durrësi është duke konkurruar Tiranën për numrin e tifozëve që ka tërhequr në strukturat akomoduese. Para ndeshjes, ata po shfrytëzojnë motin e mirë për të marr rrezet e para të këtij sezoni veror .
“Më mirë seç e prisja. Nëse stadium do të ishte më i madh, atëherë çdo gjë do ishte perfekt. Por ne kemi mbetur pa biletë e na mbetet të shkojmë të shohim ndeshjen në Fan Zone. Por si fillim po relaksohemi pranë detit… ndaj vendosëm të qëndrojmë në Durrës, por edhe sepse hotelet në Tiranë kishin çmime të frikshme. Për 6 ditë këtu paguam 126 euro ndërsa në Tiranë vështirë të gjeje ose duhet të paguaje 2000 euro natën!”
“Do të qëndrojmë këtu deri të shtunën. Është kënaqësi të kalosh pushimet pranë detit, duke bërë not e duke pritur ndeshjen që të fitojmë!! Durrësi na thanë që është vetëm 30 minuta larg Tiranës kështu që ia vlen”.
Për sipërmarrësit e hoteleri-turizmit kjo periudhë pa ndeshjen do të ishte e vakët, ndërsa tani ata edhe gjatë javës nuk kanë dhoma të lira.
Diskutime rreth kësaj post