Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror të dedikuar tërësisht këmbësorëve dhe që me gurët dhe bimësinë që do të popullohet, do të simbolizojë të gjitha krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot në prani edhe të kryeministrit Edi Rama, projektin e sheshit të ri “Skëndërbej”, zbatimi i të cilit do të nisë nga muaji qershor, pasi të jetë diskutuar më parë me të gjithë qytetarët e Tiranës.
Projekti i prezantuar do të realizohet në 12 muaj dhe do ketë shtrirje sipërfaqësore që do të përfshijë brenda edhe pjesë të Unazës së Vogël. Për të evituar dhe minimizuar ngarkesat dhe mbarëvajtjen në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes të projektit në 11 lulishte te vogla të ndryshme. Në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj, të përfundimit të të gjithë projektit.
Elementët kryesor të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vet sheshit. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, të trashësi 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.
Sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij projekti është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Në këtë projekt do të ketë rreth 2100 m3 rezervuare për të mbajtur këtë ujë. Gjithashtu dhe ndriçimi i godinave publike që rrethojnë këtë shesh do të bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.
Nisur nga madhësia e këtij projekti dhe e lidhur kjo me grafikun e punimeve dhe planifikimin e tij, është menduar që të angazhohen rreth 950 punëtorë dhe specialistë të ndryshëm. Ndërkohë që gjatë muajve në vazhdim bashkia do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi dhe qytetarë të Tiranës për mënyrën e realizimit të këtij projekti si dhe do të sigurojë komunikim koherent për qytetarët. / javanews
Diskutime rreth kësaj post