PDIU, pershendet rekomandimin e Komisionit Europian për të çelur negociatat e anëtarësimit, si një lajm madhor në historinë e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Fuqia ndërkombëtare e Shqipërisë do të rritet; do të zgjerohet hapësira e drejtësisë europiane për shqiptarët. BE vlerësoi me këtë hap edhe dinjitetin e reciprocitetin që Shqipëria tregon ndaj çdo vendi aleat.
Dje Shqipëria mori një lajm të madh në historinë e saj të re dhe ne si PDIU, si parti europianiste, si parti institucionale jemi shumë vlerësues për këtë. Institucionet tona, shteti ynë në përgjithësi e kaluan një provim të rëndësishëm, i cili lipsej për përparimin e mëtejshëm kundrejt Bashkimit Europian. Certifikata pozitive e këtij provimi, ka vlera të veçanta për disa arsye.
Kjo çertifikatë është rezultat i monitorimit të imtësishëm të ecurisë sonë shtetërore në shumë fusha dhe jo në një të vetme.
Së dyti, përkundër kasandrave, ky rekomandim tregon se dinjiteti e reciprociteti në marrëdhëniet me jashtë e fuqizon rolin e Shqipërisë, në vend që ta dëmtoj. Vlerat evropiane, si mbrojtja dhe sigurimi i të drejtave të Njeriut, përfshi dhe çështjet tona kombëtare, janë parakusht e jo pengesë e anëtarësimit në BE.
Së treti, ajo është dhënë nga Komisioni Europian, struktura ekzekutive e përhershme e Bashkimit Europian, i cili përfaqëson të gjithë shtetet anëtare. Në një mënyrë ne kemi arritur rezultate të vlerësueshme sipas standarteve të përbashkëta të të gjithë shteteve anëtare. Deri në fillimin e negociatave mbetemi për t’u vlerësuar nga shtetet anëtare veç e veç, por në këtë shqyrtim, mbivendosen dhe interesa të veçantë të vendeve anëtare.
Shqipëria prodhoi një lajm të mirë ndërkombëtar për vete. Shqipëria e rriti fuqinë e saj ndërkombëtare që lidhet me lajmet e mira, me hapat përpara në integrimin e saj në organizatat më të rëndësishme kontinentale dhe globale. Më në fund, rriten shanset që në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve të zgjerohet hapësira e drejtësisë europiane.
Diskutime rreth kësaj post