Votimin dhe numërimin elektronik, të cilin opozita e kërkon me ngulm në zgjedhjet e ardhshme, Basha e diskutoi në takimin e zhvilluar me ambasadorët Donald Lu dhe Bernd Borshard.
“Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është e lidhur me problemin e madh të kriminalizimit të politikës, të krimit të organizuar, të drogës. Këto janë probleme që opozita i ka denoncuar prej tre vitesh. Këto janë probleme për të cilat opozita ka luftuar dhe ka arritur të ndryshojë ligjet, siç është ligji për dekriminalizimin. Por, që për fat të keq, nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së vullnetit politik. Vullneti politik mungon sepse Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës e ka lidhur fatin e tij me krimin, me drogën”, tha Basha.
Por, a ka mbështetjen e ndërkombëtarëve kjo ide e opozitës? Basha thekson zgjidhjen institucionale për këtë ngërç.
“Nuk ka fare rëndësi se çfarë mendojnë individët. Zgjidhjet që ne kemi shtruar në tavolinë janë plotësisht të mundshme dhe unë kam patur rastin ta diskutoj edhe sot me bashkëbiseduesit që kanë qenë të pranishëm në Partinë Demokratike. Por mesazhi që kam për shqiptarët sot, dhe që ndava edhe me anëtarët e grupit, është se koha për zgjidhje institucionale po mbaron me shpejtësi. Nuk ka vullnet për zgjidhje institucionale. Qeveria po luan me kohën. Çdo ditë që kalon është një alibi për të shteruar opsionet e zgjidhjeve institucionale”, tha kreu i opozitës.
Ajo që nuk po arrihet në rrugë institucionale, Basha thotë se opozita do t’i arrijë me protesta.
“Partia Demokratike po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale”, u shpreh Basha.
Aksionin e opozitës për të ardhmen, Basha e diskutoi më pas me aleatët në selinë blu.
Diskutime rreth kësaj post