PD, të hënën protesta “kundër oligarkut Veliaj”
Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës dhe degët e PD në kryeqytet iu bëjnë thirrje qytetarëve të dalin në protestë ditën e hënë në orën 10:00 për të ndalur siç thonë ata oligarkun e Bashkisë. Kjo protestë do të nisë para bashkisë e do të vijojë në formë marshimi deri tek Parku i Liqenit.
“Erion Veliaj, ky mashtrues i korruptuar që premtoi se nuk do rriste çmimin e biletës së urbanit dhe 24 orë më vonë e rriti duke ju marrë qytetarëve 15 mijë euro në ditë më shumë; ky gënjeshtar që premtoi se nuk do rriste por do ulte taksat bashkiake dhe vetëm 4 muaj më pas i rriti ato deri në 10 herë; ky hajdut që gënjeu se nuk do prekej asnjë fije bari por dha me koncesion të jashtëligjshëm parkun “Rinia” e po ndërton pa leje në parkun e Liqenit duke shkatërruar mijëra metra katrorë gjelbërim, kjo vemje që falsifikoi firmën e inspektorit të bashkisë dhe tani po përpiqet të mbyllë hetimet e prokurorisë duke ofruar ryshfete marramendëse për të korruptuar prokurorët e çështjes, ky sharlatan që kundër ligjit vazhdon ndërtimin pa leje në mes të parkut, që lejon ndërtimet e Xhillarit në kalanë e Tiranës ndërkohë që qytetarët dergjen në burg me ditë për një dritare apo një riparim çatie, ky oligark vendor i dërguari i shefit të hajduteve në Tiranë, duhet ndalur me çdo mjet dhe me çdo çmim”, deklarojnë këshilltarët e djathtë.
Sipas tyre, Veliaj po ndërton një lokal tek kodrat e liqenit për mikun e tij. “Pallavrat e tij, se po e bën këtë për fëmijët, kur në fakt po ndërton një kioskë-lokal-restorant për mikun e tij, nuk i beson askush dhe i neverit çdo qytetar i Tiranës. Tirana është qyteti i qytetareve dhe jo oborri i pasmë i ordinerit të bashkisë”, vijon më tej deklarata e këshilltarëve të PD-së.
Ata theksojnë se qytetarët e Tiranës kanë ditur të rrëzojnë diktatorë gjakatarë, kanë hedhur në tokë sistemin më të egër komunist të gjithë lindjes. “Të hënën do tregojnë se një dordolec i korruptuar si Veliaj nuk mund të sundojë qytetin e tyre. Të hënën në orën 10:00 para Bashkisë dhe më pas drejt Parkut të Liqenit për të ndalur këtë oligark lokal bashkë me interesat e tij korruptive e klienteliste”, përfundon deklarata e këshilltarëve demokratë.
Diskutime rreth kësaj post