Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje nga selia e PD se po përgatitet arrestimi i kreut të Bashkisë Durrës Vangjush Dako por se kjo gjë nuk e shpëton dot kryeministrin Edi Rama nga përgjegjësia ligjore për vjedhjen e votave.
“Ajo që dua të ndaj me ju një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk e shpëton nga përgjegjësia ligjore që ka. Është kapur duke vjedhur zgjedhje me bandat. Orët e fundit janë intensifikuar me lajme se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Dosja 339 faktoi se ai dhe zyrtarë të tjerë janë kapur duke vjedhur vota. Mos arrestimi me urdhër të Edi Ramës. Për të mos e arrestuar Rama flijoi Fatmir Xhafën. Arrestimi i Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë por nuk e shpëton dot”, tha Basha.
Burime të Lapsi.al thonë gjithashtu se ndaj Ramës po ushtrohet presion i madh ndërkombëtar për arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit. Më shumë i përfshirë në këtë cështje është Washingtoni zyrtar.
Por ndërkohë ekzekutimi i urdhër-arrestit ka ngecur tek Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e akuzuar gjithashtu nga opozita si e përfshirë në lirimin nga burgu të kreut të bandës së Avdylajve në Shijak, bandë me të cilët Vangjush Dako është përgjuar të blejë vota për Partinë Socialiste.
Nuk dihet se sa do të zgjasë rezistenca e Donika Prelës për të arrestuar Vangjush Dakon dhe se si do të rrjedhin zhvillimet politike pas kësaj ngjarje. Prela e kaloi vettingun në mënyrë të dyshimtë. Edhe për këtë cështje opozita hodhi akuza të rënda ndaj saj. Opozita vendosi të djegë mandatet pas publikimit tek Zeri i Amerikës të përgjimeve të dosjes 339, ku kryebashkiaku i Durrësit rezultonte i përfshirë në blerje votash./Lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post