Partia Demokratike ditën e djeshme ka reaguar ndaj atentatit në qytetin e Lushnjes ku u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë. Ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili me anë të një deklarate nga selia blu u shpreh se kjo ngjarje është realiteti i hidhur në vendin tonë.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se di të bëjë vetëm propagandë dhe e ka vendosur të gjithë pushtetin në duart e tij duke rrezikuar sigurinë e duke promovuar krimin. Sipas deputetit, rënia e rendit dhe sigurisë në vendin tonë është produkt i qeverisë së kryeministrit.
“Ngjarja kriminale e Lushnjes risolli edhe njëherë para syve të shqiptarëve hendekun mes realitetit të hidhur në të cilin jeta e qytetarëve vihet çdo ditë në rrezik dhe propagandës së gënjeshtrave që ushqen dhe ushqehet nga Rama, ku parësore është tallavaja dhe hilet e një komunikimi të rremë që prodhon vetëm fjalë boshe. Gjendja e ankthit dhe pasigurisë që mbizotëron sot në Lushnjë dhe kudo, është pasojë e sigurisë që gëzon krimi përballë një shteti të gjunjëzuar dhe i modelit të instaluar nga regjimi Rama-Doshi, ai i aleancës me krimin. Rënia e rendit dhe sigurisë, humbja dhe shkatërrimi i jetëve, janë produkt i amoralitetit që ndërtoi këtë model për përfitime elektorale, duke bërë policinë të paaftë për t’u përballur me krimin dhe qytetet të pasigurta për familjet shqiptare”, – u shpreh Alibeaj.
Deputeti tha se ka një ndryshim të madh të asaj çfarë paraqet Rama në rrjete sociale për vendin tonë. Sipas tij duhet ndëshkuar pushteti, i cili bashkëpunon me krimin në mënyrë që vendi të shpëtojë.
“Këto dy Shqipëri, ajo e karikatorëve që zbrazen duke vrarë e lënduar dhe ajo imagjinare e rrjeteve sociale të Edi Ramës, që i përdor si kamuflim për krimin dhe korrupsionin si instrumente politike të regjimit, janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Që Shqipëria reale të jetë e çliruar nga frika dhe nga makthi i një pushteti të bërë njësh me krimin, duhet ndëshkuar modeli i ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi, duhet ndarë përfundimisht politika nga krimi. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur rend dhe siguri, e vemja mënyrë që qytetarët të jetojnë të sigurt në qytetet dhe fshatrat e tyre”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post