Partia Demokratike, përmes zëdhënëses së saj Ina Zhupa e ka quajtur një “shfaqje” vizitën e sotme të kryeministrit Rama në Fushë-Krujë, ku premtoi dëmshpërblim për të përmbyturit.
“Me një regji bajate, ku i kërkon njerëzve votën para kamerave në këmbim të çekut, Edi Rama bëri sot sikur u kujtua për banorët e Fushë-Krujës. Po ata dhe çdo qytetar i vendit e mban mend mirë se kur u rrethuan nga uji e balta, Edi Rama mori rrugët e botës për pushime luksi. Pikërisht ditën kur qindra familje u përmbytën në Fushë-Krujë, Edi Rama shkoi në Nju Jork për ekspozitë pikture. Në kulmin e fatkeqësisë, Rama i braktisi banorët”, ka thënë Zhupa.
Ajo ka theksuar se, tani që po vijnë zgjedhjet, kryeministri bën sikur po i dhimbsen banorët.
“Sërish, ai nuk ka dhe nuk mban asnjë përgjegjësi, por fajin e kanë qytetarët, fajin e ka natyra, fajin e kanë kanalet që janë bllokuar. Ka 4 vjet që hedh para për luks, për zyra, për palma, për makina, për ekspozita pikture, për të parë NBA, për fundjavë me Gjushin, për shëtitje nëpër stadiumet e botës, para që po të shkonin për investime në bujqësi, në kanale kulluese e vaditëse nuk do kishte këto dëme me shiun e parë që bie”, ka vijuar Zhupa.
Sipas saj, këto para do të ishin të mjatueshme për t’i dëmshpërmblyer në kohë familjet e përmbytura e për t’u ardhur në ndihmë fermereve.
“Këto janë përpjekje të dëshpëruara. Qytetarët nuk e besojnë më Edi Ramën. Sepse nuk mund të besohet dikush që të kthen kurrizin në ditën më të vështirë dhe kthehet kur afrojnë zgjedhjet”, ka shtuar Zhupa.
Diskutime rreth kësaj post