Partia Socialiste dhe Partia Demokratike pritet të shkojnë drejt bashkëqeverisjes. Gazeta “SOT” e ka theksuar disa herë se ky skenar ka vite që diskutohet, por dje është bërë e qartë se amerikanët e duan një gjë të tillë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi dje një takim me kryedemokratin Lulzim Basha, ku përveç kërkesës që të largojë Berishën, është folur dhe për bashkëqeverisjen. Mesazhin e dha vetë ambasadorja amerikane në deklaratën për shtyp, ku e bëri të qartë se me rikthimin e PD në Parlament, PS duhet që të tregohet serioze në angazhimet e saj.
“Teksa PD kthehet në Parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit”, tha Kim.
Vetë Kryeministri Edi Rama para edhe pas zgjedhjeve i bëri ftesë të hapur Bashës për bashkëqeverisje, ndërsa dje ambasadorja duket se ka marrë konfirmimin e Bashës dhe i dërgoi mesazh kryeministrit që të mbajë fjalën. Gazeta tha pak ditë më parë se në prapaskenë po punonin edhe gjermanët me qëllim që të kemi një koalicion të gjerë PD-PS, por si duket kjo mbështetet dhe nga SHBA. Shpallja i padëshiruar i Berishës duket se ka qenë një skenar i mirëmenduar. Fillimisht iu dha goditje LSI. Amerikanët mbështetën ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat hiqnin koalicionet. Përmes këtyre ndryshimeve LSI doli më e humbura dhe u katandis në 4 deputetë. 2 ditë para zgjedhjeve, Yuri Kim lëshoi bombën në Presidencë, ku i tha Metës të tërheqë akuzat për rrëmbim sfurqesh. Kaq u desh dhe ata që ishin me dy mendje nuk votuan për LSI. Pra përmes 25 prillit u largua Meta.
Ndërkohë personi tjetër që amerikanët nuk e duan në një qeveri PD-PS është Sali Berisha. Në lojë hyri Departamenti i Shtetit, i cili e shpalli “non grata” Berishën. Në rastin e Tom Doshit ambasadorja Kim e bëri të qartë se SHBA nuk i do në Parlament emrat e padëshiruar. Dje ajo ia bëri të qartë Bashës dhe Berishës se ky i fundit nuk ka vend në Parlament në shtator. Me largimin e Berishës dhe Metës, amerikanët duket se hedhin një hap të madh, duke sjellë diçka që nuk ka ndodhur në 30 vite: bashkëqeverisje mes mazhorancës dhe opozitës.
Dyshimet janë se ideja e një bashkëqeverisje mes PD dhe PS është hedhur që në marrëveshjen e 17 majit 2017. Që prej kësaj marrëveshje palët kanë punuar që të bëjnë gati terrenin e një bashkëpunimi të tillë. Me Ilir Metën dhe Berishën aktivë në politikë, diçka e tillë nuk do arrihej. Meta u bë president dhe është në proces shkarkimi, ndërsa Berisha është person “non grata” dhe ata nuk përbëjnë më rrezik. Ndërkohë para zgjedhjeve kryeministri Rama e hodhi si ide duke testuar elektoratin. Fakti që u votua do të thotë se njerëzit e mbështesin këtë gjë. Pas zgjedhjeve Rama sërish nuk ndryshoi qëndrim dhe i shtriu Bashës dorën e bashkëpunimit duke qenë i hapur si për bashkëqeverisje, ashtu dhe për zgjedhje të reja vendore, për të zgjedhur presidentin dhe për të përmbyllur reformat. Ambasadorja dje duket se i ka vënë pikat mbi “i” dhe sinjalet janë se në sesionin e ri parlamentar të shkohet drejt një qeverisje me bazë të gjerë.
Diskutime rreth kësaj post