Në mbledhjen me dyer të mbyllura në Partinë Demokratike, Eduard Selami ishte ai që bëri pyetje pas dështimit të konsnesusit për reformën në drejtësi. A mund ta çojë kjo Partinë Demokratike në përplasje me ndërkombëtarët?
Lulzim Basha ka qenë i detajuar në shpjegimet e tij përse opozita këmbëngul për formulën e vendeve të rezervuara.
“Në 3 shkurt, Donald Lu dërgoi e-mail me 5 opsione, ndër të cilat dhe vendet e rezervuara. Në 14 shkurt i kthyem përgjigje me e-mail ambasadorit Lu, që PD bie dakord për vendet e rezervuara. Në 17 shkurt kjo i komunikohet PS-së”, thotë Basha.
Lulzim Basha nuk foli për mediat pas mbledhjes së grupit, por Sali Berisha foli. Ai nuk përmendi emra, por në një saktësim që ka bërë në Facebook, thotë se e ka për njërin prej ekspertëve të reformës në drejtësi.
“Për çdo shqiptar që i thotë dritës së diellit dritë, të vërtetës të vërtetë, opozita mbrëmë votoi reformën. E refuzoi kategorikisht njeriu që shkoi me një a dy fjalime në xhep. Opozita votoi variantin që ia kanë kërkuar ndërkombëtarët, që e kanë sugjeruar ata, që ia kanë premtuar ndërkombëtarët. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të paskrupullta të cilitdo që t’i bëjë. Se duhet të them që është mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar i raporton qeverisë së tij të kundërtën e asaj që ka thënë vetë. Por kjo botë është transparente”, deklaroi Berisha.
Dhe bota mund të jetë kaq transparente, sa opozita të tregojë provat e saj, siç ka paralajmëruar Lulzim Basha në mbledhjet e grupit.
“Të gjitha janë me e-mail me ambasadorin Lu dhe nëse është e nevojshme, do të publikohen. Si Nuland dhe këshilltari i Merkel, që fola dje në telefon janë të qartë se këtë formulë e ka propozuar Rama, e ka konfirmuar Venecia dhe se ne po kërkojmë atë që është rënë dakord”, shprehet Basha.
Deri tani në Partinë Demokratike nuk verifikohet ndonjë deputet që mund të votojë një draft jokonsensual për reformën në drejtësi, por edhe në këtë opozita e ka rritur presionin.
“Nëse edhe një deputet i opozitës voton një draft pa konsensus, PD kalon në përballje totale, përfshirë edhe djegien e mandateve derisa të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, është shprehur kreu i demokratëve.
Të dielën shefja e Politkës së Jashtme të Bashkimit Europian Federica Mogherini tha se çdo deputet është përgjegjës për votimin e reformës, por sipas kreut të opozitës deklarata e Mogherinit është shkruar në Tiranë, ndërsa për ambasadoren Romana Vllahutin, Basha tha se ajo është e rreshtuar qartë në krah të Qeverisë.
Diskutime rreth kësaj post