Partia Demokratike nis sot fazën e parë të analizës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Ajo ka kërkuar nga degët e saj në të gjitha qarqet e vendit që të plotësojnë një formular në lidhje me analizimin e masakrës zgjedhore.
Në udhëzimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi, kërkohet që degët e selisë blu të plotësojnë disa pika ku evidentohen problematikat e nxjerra nga zgjedhjet e 25 prillit. Formulari nis me analizimin e situatës politike në qark ku renditen 5 pika. Ndikimi i situatës politike kombëtare, ndikimi i faktorëve lokalë, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe efekti lokal, komunitetet e faktorët rajonalë dhe funksionimi i koalicionit lidhur me aleatët e PD po ashtu edhe me LSI.
Ja çfarë u kërkohet demokratëve
Në pikën 5 të formularit, demokratëve u kërkohet të identifikojnë të gjitha fenomenet negative të përdorura nga kundërshtari politik, personat influentë që kanë punuar kundër PD, niveli i angazhimit të tyre, format e përballjes, si dhe rezultati e performanca në raport me objektivat e vendosura dhe mundësitë.
Sa i përket analizës në nivel qarku, bashkie, seksioni dhe grupseksioni, demokratëve u është kërkuar të analizohen faktorët e brendshëm, personat influentë që kanë kontribuuar dhe gjendja e strukturës së partisë. Po ashtu formulari u kërkon drejtuesve lokalë të përcaktojnë se cila ka qenë vlera e shtuar e koalicionit për secilën zonë. Ndërkohë do të kërkohet edhe një analizë për efektin e pjesëmarrjes në votime, ku do të renditen zonat me ulje të numrit të votuesve, shkaqet dhe mundësitë, zonat me rritje të numrit të votuesve, motivimi si dhe ndikimi në rezultat.
Ndërsa një tjetër analizë do të kërkohet edhe për efektin e lëvizjes së votave midis subjekteve zgjedhore, sipas njësive administrative dhe faktorëve lokalë. Sa i përket kësaj do të analizohen zonat me ulje të numrit të votave për PD, shkaqet dhe mundësitë reale të zonës si dhe zonat me rritje të numrit të votave për PD, arsyet e mundësitë e rritjes së mëtejshme.
Raporti analitik duhet të përmbyllet brenda datës 10 korrik nga drejtuesit politikë, drejtuesit e degëve dhe drejtuesit në çdo seksion të Partisë Demokratike. Sipas udhëzimit, formati për hartimin e raportit përmbledhës analitik, ka karakter orientues dhe përmban të dhënat që duhet të raportohen. Udhëzimi erdhi pas mbledhjes së fundit të kryesisë së PD ku u vendos edhe analiza e zgjedhjeve.
Kujtojmë që brenda datës 5 korrik 2021 çdo drejtues politik i qarkut do të paraqesë raportin përmbledhës të analizës në nivel qarku. Raporti i plotë i analizës së 25 prillit për fazën e parë do t’i paraqitet për shqyrtim Kryesisë së Partisë brenda datës 10 korrik. Gjithë procesi i analizës brenda PD do të zgjasë deri më 30 shtator.
Diskutime rreth kësaj post