Partia Demokratike, nëpërmjet anëtares së Kryesisë, Mimoza Hajdarmataj ka reaguar lidhur me transferimin e shërbimeve të Kadastrës për qytetarët e Tropojës nga Bajram Curri në Kukës.
Ajo thotë se izolimi i Tropojës, duke hequr çdo shërbim në emër të reformave, nuk është qeverisje e mirë, por hakmarrje primitive politike ku akuzon kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kadastrës Artan Lame se nuk kanë bërë një reformë, por një plan për të shpopulluar vendin.
“Dje pushteti i Ramës dhe Lames u ka hequr banorëve të Tropojës shërbimin e fundit që merrnin në qytetin e Bajram Currit: Zyrën e Kadastrës shtetërore.
E transferuar në Kukës, kjo zyrë e shton edhe më tej barrën e malësorëve të varfër, pasi distanca me qendrën e Qarkut është vajtje-ardhje 220 km, u dhe duhet të kalojnë 4 herë dy doganat me Kosovën!
Ky vendim është persekucion edhe për faktin se 80 përqind e pasurive të paluajtshme në rrethin e Tropojës janë të parregjistruara. Të paregjistruara janë edhe mbi 90% të banesave në të gjitha fshatrat e rrethit.
Më poshtë një listë e shërbimeve që banorët e Tropojës duhet të marrin në qytete të tjera të vendit duke përshkruar qindra kilometra rraskapitëse:
-shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve kryhet në Kukës;
-shërbimi i tatim-taksave dhe i marrjes së vertetimeve të thjeshta kryhet në Kukës;
-shërbimet e Drejtorisë së Arsimit kryhen në Lezhë;
-shërbimet e Drejtorisë së Shëndetit kryhen në Shkodër;
-shërbimet gjyqësore do të kryhen në Kukës me mbylljen e Gjykatës së Faktit.
Izolimi i Tropojës, duke i hequr çdo shërbim, në emër të reformave, nuk është qeverisje e mirë, por hakmarrje primitive politike.
Është një turp, si për Artan Ramën edhe Edi Lamen, por edhe për autoritetet vendore që mbyllin sytë dhe gojën, teksa nga Tirana u marrin erzin dhe u lënë autoritet vetëm mbi qentë endacakë. Kjo lëvizje nuk është reformë, por pjese e planit ë shpopullimit të vendit. Bëjua të vështirë jetën, që të marrin rrugët e botës! Kjo ka ka qenë e vetmja politikë e qëndrueshme Edi Ramës në 9 vite pushtet.
Qytetarëve të Bajram Curit dhe të fshatrave të Tropojës u bëjmë thirrje të mos dorëzohen! I garantojmë se me ardhjen e PD në qeverisjen e vendit shërbimet e transferuara jashtë Tropojës do t’u kthehen.”, u shpreh anëtarja e Kryesisë së PD, Mimoza Hajdarmataj.
Zyra Kadastrale e Tropojës deri më 30 gusht ka funksionuar në Tropojë, por ditën e djeshme është vendosur transferimi në Kukës.
Diskutime rreth kësaj post