Ish-kryeministri Sali Berisha është hedhur në sulm për të bllokuar përjashtimin nga grupi parlamentar demokrat dhe distancimit të tij nga Partia Demokratike. Ditën e hënë PD do të mbledhë Këshillin Kombëtar, ku do të zgjedhë pasuesin e Bujar Nishanit në krye të Këshillit Kombëtar, Kryesinë e re, Sekretariatin, Departamentet, organet e tjera brenda partisë dhe ndërkohë pritet të mbajë edhe qëndrimi sa i takon shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ish-kryeministrit Sali Berisha. Por ky i fundit është alarmuar nga këto lëvizje dhe ka nisur në prapaskenë presionet ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e vënë në dilemë këtë të fundit nëse do e largojë apo jo.
Kështu, burime të sigurta nga selia blu i pohuan gazetës se Berisha, njerëz dhe media pranë tij kanë nisur sulmet në adresë të kryedemokratit Basha. Mësohet se qëllimi i kësaj ofensive është që Këshilli Kombëtar në mbledhjen e së hënës të mos mbajë një qëndrim radikal ndaj Berishës, por të mjaftohet vetëm me një kërkesë për ambasadën amerikane në Tiranë që të bëjë publike të gjitha provat që Departamenti Amerikan i Shtetit ka për ish-kryeministrin dhe familjen e tij dhe në asnjë rast të marrë vendim për përjashtimin e ish-liderit demokrat nga Partia Demokratike dhe grupi demokrat. Pra, në kushtet kur debatet janë ndezur dhe mbledhja e Këshillit Kombëtar është vetëm dy ditë larg, Berisha ka nisur luftë të fortë në prapaskenë për të bllokuar përjashtimin nga grupi dhe PD-ja. Berisha po jep sinjale se në rast përjashtimi mund të kemi tensione në PD e politikë.
Po ashtu edhe media pranë ish-kryeministrit Berisha kanë rritur presionet dhe sulmet ndaj Bashës, të cilit i kërkojnë që të mos bëhet vegël e amerikanëve. Ndërkohë që thuajse çdo ditë pas shpalljes së ish-liderit demokrat “non grata”, kanë sulmuar përmes lajmeve dhe editorialeve Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Madje edhe dje mediat pranë ish-kryeministrit kanë sulmuar edhe Mark Markun, pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të PD-së në shenjë revolte, ndërsa akuzoi Bashën dhe Berishën se e kanë shndërruar Partinë Demokratike në parti që mbron interesat personale të tyre.
Por në një kohë që ish-kryeministri Sali Berisha po lëviz të gjithë gurët, në mënyrë që të bllokojë përjashtimin e tij nga grupi parlamentar demokrat, kanë ardhur edhe reagimet nga demokratët. Ka qenë anëtari i kryesisë së PD, Fatbardh Kadilli, i cili ka shpërthyer në akuza ndaj Lulzim Bashës. Gjatë një prononcimi për mediat, Kadilli theksoi se është e pakonceptueshme që në vend që të flasë Basha, flet Berisha, i cili sipas tij, vijon të imponojë modelin e tij në parti, ndërsa kërkoi që kryedemokrati të mbajë një qëndrim publik ndaj ish-kryeministrit, pas shpalljes “non grata”
. “Basha nuk ka pasur një qëndrim të qartë për çështjen më të rëndësishme në raport me SHBA, aleatin më të rëndësishëm që ka qenë pjesë që nga krijimi në ditën zero. Basha nuk po flet, por PD nuk mund të rrijë pa zërin e kryetarit. Ça është ai kryetar që nuk flet dhe flet ish-kryetari? Për çfarë na duhet kryetari? Ne po shohim që Berisha po imponon modelin e tij edhe pas 30 vitesh, këtë do vazhdojmë të bëjmë akoma”, deklaroi Kadilli.
Diskutime rreth kësaj post