Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi, Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar. Janë plot shtatë mijë e pesëqind delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, të cilët janë thirrur për të qenë prezentë ditën e sotme në Pallatin e Kongreseve për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike. Mes 600 emrave të propozuar në Kryesinë e Partisë Demokratike nga kryedemokrati Lulzim Basha, delegatët e vjetër të Kuvendit do të përcaktojnë me votë 300 anëtarët e rinj të këtij forumi, që do të përzgjedhë më pas edhe Kryesinë e re, ndonëse kësaj të fundit ende si ka mbaruar mandati.
Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edith Harxhin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Kryetarin e Këshillit, Bujar Nishani. Mirëpo ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht. Ndërsa ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillin Kombëtar, apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD.
Por gazeta ka mësuar se njerëzit e klanit “Berisha”, përfshi këtu ish-presidentin Nishani, rrezikojnë të mos votohen nga anëtarët e Kuvendit Kombëtar për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar. Burime nga selia blu i pohuan gazetës se anëtarët e Kuvendit janë udhëzuar se për cilat emra do të votojnë për t’i katapultuar si anëtarë të Këshillit, ku padyshim që “viktima” do jenë kritikët e Bashës dhe njerëz të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha. Pra, përmes kësaj strategjie, lideri demokrat Basha synon të çojë përpara misionin e tij për të për të reformuar partinë nga ithtarët berishistë.
Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuara nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e Kryesisë. Përmes tyre Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve. Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. Pas Lulzim Bashës dhe 19 drejtuesve politikë të qarqeve, fjala do të jetë e hapur për këdo.
Nga ana tjetër, dje nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar lidhur me zhvillimet e dy dite më parë në mbledhjen e Kryesisë së PD, si edhe debatet e zhvilluara në të pas analizës së zgjedhjeve të 25 prillit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Paloka theksoi se nëse PD do të arrinte objektivat në zgjedhjet e 25 prillit, sipas tij, sot demokratët do të ishin në pushtet.
“Ajo që unë dua të sqaroj është se as dje dhe asnjëherë tjetër unë nuk kam thënë që “Durrësi i arriti objektivat” e për më tepër të debatoja për këtë se pastaj nuk do isha unë me këmbë në tokë. Nëse do arrinim objektivat dhe projeksionet pavarësisht manipulimeve që u bënë, ne do ishim në pushtet . Po objektivi ynë nuk u arrit për një arsye që nuk ka shqiptar që nuk e di, e që është manipulimi me të gjitha mënyrat i zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo del qartë dhe në analizën e bërë, por e përsëris nuk ka shqiptar që nuk e di, i madh apo i vogël, i majtë apo i djathtë qoftë. Të tjerat nesër në Kuvend”, shkruan Paloka.
Diskutime rreth kësaj post