Nga Ardit Rada
Edhe pse situata pas zgjedhjeve ishte parashikuar pa zhvillime politike intensive, duket se të gjitha palët kanë vendosur për ta zhfrytëzuar vapën jo për pushime. Fundi i korrikut zgjoi debate që nuk lidhen me akuza për procesin zgjedhor, por me beteja të reja. Tashmë dy partitë kryesore të opozitës, ajo Demokratike dhe LSI-ja, kanë nxituar të marrin flamurin se kush do ta bëjë zhurmën më të madhe, duke nisur fillimisht “luftën” në pushtetin lokal. Kjo për një arsye sa serioze, aq edhe absurde; PD dhe LSI sot kanë në qeveri më shumë sesa gjysmën e ministrave dhe kryesisht dikasteret më të rëndësishme. Për këtë fakt, nuk kanë se cilën qeveri të sulmojnë… Dy opozitat e dala nga 25 korriku kanë në qeverinë “Rama” plot 10 ministra dhe një zv.kryeministër, përkundër 9 ministrave socialistë ku tre prej tyre janë pa portofol.
Kësisoj, LSI ka nisur betejën për ujin e pijshëm të Tiranës, e cila kulmoi ditën e sotme me akuza të rënda herë për vendimin e Këshillit Bashkiak, e herë për të vetët. Si shenjë e tërheqjes nga “tepsia” e Bashkisë, LSI detyroi nënkryetaren e saj që të largohej në emër të opozitarizmit dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Në fakt, largimi i një individi nuk përbën asnjë iniciativë politike, qoftë edhe kur bëhet fjalë për bashkinë më të madhe në vend. Një largim masiv nga çdo bashki, çdo ministri e agjenci do të ishte hapi i ndershëm, nesë politikës do t’i kishte mbetur një fije ndershmërie.
Ndërkohë, Partia Demokratike vijon të mbajë gjysmën e qeverisë pezull me ministrat teknikë që si fillim kishin detyrë të garantonin zgjedhjet dhe tani kanë detyrë të shkruajnë një hartim kolektiv. I ndodhur para pikëpyetjeve edhe të vetë demokratëve, Lulzim Basha u detyruar të bëjë një gjysmë-sqarim ku tha se dorëheqjet janë gati, por po shkruhet raporti. Nga ana tjetër, ministrat teknikë që kishin për detyrë vetëm “xhandarin” e zgjedhjeve, e nisën punën me shpatë duke shkarkuar dhjetëra nëpunës dhe po e përfundojnë duke firmosur tendera.
Por çfarë po i mban ende në qeveri dy opozitat kur pakti PS-LSI ka përfunduar që më 1 Prill 2017 dhe kur pakti PS-PD skadoi më 26 korrik të po këtij viti? A ka tallje më të madhe sesa të kesh një qeveri ku 10 ministra nuk puqen gjëkundi me 9 të tjerë?
Moralisht, opozitarizmi i PD dhe LSI mbetet i diskutueshme për aq kohë sa marrin rrogën në qeverinë “Rama”. Sepse nuk mund të jenë njëkohësisht shumicë në qeveri, gjysmakë nëpër bashki dhe pakicë në Kuvend. /JavaNews/
Diskutime rreth kësaj post