Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka denoncuar pasditen e kësaj të premteje një ngjarje “të rëndë” që ka ndodhur sipas tij në Gjirokastër.
“Drejtori i Policisë, Lorenc Paganika ka aksidentuar një kalimtar në Memaliaj dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë as ndihmën e nevojshme qytetarit, por tashmë po tenton të manipulojë ngjarjen. Fatmirësisht qytetari i aksidentuar është jashtë rrezikut për jetën”, ka deklaruar Alibeaj.
Sipas deputetit demokrat, makina e drejtorit pësoi dëmtime nga aksidenti, por ai nxitoi që ta rregullojë dhe ka lejuar ekspertimin nga grupi hetimor vetëm pasi makina ka dalë nga servisi, “duke tentuar të mbyllë çështjen”.
“Kjo ngjarje, e gjitha e filmuar, tregon sjelljen e papreçedentë të kreut të policisë së një qarku. Sjellja e këtij kryepolici vërteton gjendjen e Policisë së Shtetit, ku shefat e saj janë mbi ligjin dhe nuk ka asgjë të përbashkët me qindra oficerë të tjerë të ndershëm të Policisë së Shtetit”, ka thënë Alibeaj.
Ai ka theksuar se, kjo është e vërteta për policinë shqiptare dhe jo ato që propagandon qeveria.
“Policia ka kapitulluar përballë krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe nuk garanton dot sigurinë e qytetarëve. Ky është realiteti i qeverisë së Edi Ramës, me krimin që zotëron vendin, me drogën që blen zgjedhjet, me kryepolicë që nuk duan t’ia dinë për ligjin”, ka shtuar Alibeaj.
Diskutime rreth kësaj post