Drejtuesi politik i qarkut të Beratit për PD-në, Tomor Alizoti me anë të një dalje për mediat u shpreh se në zgjedhjet e 25 prillit u përfshi krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës dhe punësimi sezonal. Ai tha se Partia Socialiste ka kërcënuar me përjashtime nga puna nëse vota nuk do të shkonte për ta. Sipas Alizotit, përveç blerjes së votës PS në Këshillin e saj Bashkiak ka përdorur edhe fondin që ishte caktuar për tërmetin.
“Në këto zgjedhje u përfshinë; krimi i organizuar, aparati shtetëror, blerja masive e votës, punësimi sezonal. Përveç blerjes së votës në mënyrë masive, PS në Këshillin e saj Bashkiak vendosi të përdorte edhe fondin që ishte caktuar për tërmetin. Punësoi njerëz dhe kërcënoi njerëz me përjashtime nga puna. Madje, nga përvoja personale në terren, kapja e fugonit, pas shumë lajmërimesh, pas shumë shpërndarjesh parash dhe ndihmash në terren, arritëm ta shikonim me sytë tanë, shpërndarjen e ndihmave, të rezervave të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë, thjesht për të devijuar vullnetin e popullit shqiptar, për të devijuar vullnetin e votuesve të Beratit. Po ashtu është për t’u habitur dhe për t’u çuditur që mandati i LSI-së u nda vetëm për 77 vota, ndërsa 5292 vota u shpallën të pavlefshme. 93 mijë vota u shpallën të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë. 83 mijë njerëz në shoqërinë shqiptare u mohuan. Vota e tyre, e drejta e tyre për të votuar, nuk u mor në bazë”, tha ai.
Alizoti reagoi edhe ndaj KQZ, për të cilën u shpreh se nuk duhet të mohojë të drejtat për transparencë të zgjedhjeve. Ai tha se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër e fuqishme e një populli që do drejtësi, liri e demokraci teksa deklaroi se zgjedhjet nuk duhet të njihen dhe nuk do të njihen.
“KQZ e cila është përgjegjësja, nuk ka asnjë të drejtë të mohojë këto fakte të prekura, të para në terren, të dokumentuara, të provuara. Atëherë, kjo tregon që është pjesë dhe palë dhe kurrsesi nuk mund të jetë arbitër i këtyre zgjedhjeve, derisa ajo bëhet palë. Zgjedhje më 25 prill nuk pati. Zgjedhjet nuk duhen njohur dhe nuk do të njihen. Kjo ishte një masakër e fuqishme, jo elektorale, por të vullnetit të një populli i cili dëshiron dhe ëndërron të jetë pjesë e BE-së, të bashkimit më të qytetëruar në botë, ku në të posedohet drejtësia, liria për të vendosur, demokracia. Demokracia është votë e lirë, individ i pavarur, liri dhe drejtësi”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post