Nisja e sesionit të ri parlamentar për Partinë Demokratike nuk ka asnjë pritshmëri për aq kohë sa institucioni cilësohet ilegjitim. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho u shpreh ditën e djeshme se angazhimi i vetëm për opozitën do të jetë reforma zgjedhore. Gjatë një interviste për mediat, ai tha se opozita është angazhuar maksimalisht në një nga 9 kushtet që ka vendosur Bundestagu gjerman.
“Në përputhje me marrëveshjen që u nënshkrua pak kohë më parë do të japim kontributin tonë. Është e vetmja çështje në të cilën opozita është e angazhuar në nëntë çështjet që ka vendosur Bundestagu si kushte për të hapur negociatat. Do ta japim këtë kontribut. Më pas duhet që reforma zgjedhore të zbatohet, që do të thotë se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, mundësisht së bashku me ato vendore në të njëjtën ditë”, deklaroi Edmond Spaho.
Por nënkryetari i PD i druhet lojërave politike të mazhorancës, ku paralajmëroi se nëse do të ketë tentativa për zvarritje të procesit, opozita do të dalë në rrugë dhe do tu rikthehet protestave.
“Nëse mazhoranca do të fillojë të rihyjë në lojën e zvarritjeve, pasi në fund të 2019 e zvarriti procesin e reformës zgjedhore, ne do të shikojmë opsionet tona dhe të jeni të bindur se protestat do të jenë mjeti më i sigurt për t’ju përgjigjur atyre në përpjekjet që do bëjnë për të zvarritur procesin e përfundimit të reformës zgjedhore”, deklaroi ai.
Kur drafti i reformës do të jetë përmbyllur, Spaho foli edhe për pritshmëri reale të opozitës për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Zgjedhjet e parakohshme janë i vetmi mjet për të kapërcyer krizën e thellë dhe e vetmja rrugë do të ishte një qeverisje e re që të marrë përgjegjësitë për të adresuar të gjithë këto probleme. Ne nuk kemi hequr dorë nga kërkesa për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Deri sa vendi të anëtarësohet në BE, 2-3 muaj përpara zgjedhjeve të krijohet një qeveri kujdestare, e cila t’ju sigurojë palëve asnjanësinë dhe zgjedhje me kredibilitet”, u shpreh nënkryetari i PD Edmond Spaho.
Diskutime rreth kësaj post