Bojkoti parlamentar i opozitës rrezikon të hedhë në erë reformën në drejtësi. Teksa duket se gjithçka është futur në vijë të drejtë sepse më në fund dhjetori do të sjellë edhe organet e reja të drejtësisë, vijon të ketë akoma disa pengesa për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Në datat 11 dhe 12 dhjetor do të përzgjidhen anëtarët e mbetur për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por pavarësisht se këto dy organe do të kenë numrin e mjaftueshëm të anëtarëve për tu konstituuar, funksionimi i tyre nuk do të jetë i mundur. Sipas ligjit, KLP dhe KLGJ kanë të drejtë të emërojnë apo shkarkojnë gjyqtarë ose edhe të marrin masa disiplinore ndaj tyre. Po ashtu, KLP ka të drejtë të zgjedhë kryeprokurorin e ri si edhe anëtarët e SPAK. Por të gjitha këto të drejta nuk mund të ushtrohen dot nga KLGJ dhe KLP. Arsyeja? Gjykata Kushtetuese rrëzoi pak kohë më parë nenet themelore të ligjit për organet e reja të drejtësisë, ku preket edhe funksionaliteti i “krijesave” të reja. Kjo do të thotë se organet e reja, edhe pse mund të ngrihen, nuk hedhin dot asnjë çështje në gjykim dhe nuk marrin dot vendim. Tani topi është në fushën e Kuvendit pasi duhet të jetë ky i fundit ai që duhet të amendojë nenet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Për ta bërë këtë gjë, më parë duhet të mblidhet Këshilli i Legjislacionit. Por në këtë pikë futet në lojë opozita. Këshilli i Legjislacionit nuk mblidhet dot sepse drejtohet nga Partia Demokratike. Këshilli i Legjislacionit deri tani ka zhvilluar vetëm dy mbledhje dhe më pas gjithçka u la në harresë. Por për sa kohë opozita vijon bojkotin parlamentar, është e pamundur që Këshilli i Legjislacionit të mblidhet për të çuar deri në fund detyrën me amendimin e neneve. Sipas burimeve të gazetës nga mazhoranca, amendamentet janë gati por duhet vetëm që të thirret mbledhja për të diskutuar. Elementi tjetër është se ndryshimi i neneve kërkon 84 vota, të cilat mazhoranca e vetme nuk i ka. Për sa kohë nuk mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe PD mbetet jashtë Parlamentit, atëherë minohet vendimmarrja e organeve të reja të drejtësisë.
Reagimi i ndërkombëtarëve
Në lidhje me këtë çështje mjaft të shqetësuar janë shprehur edhe ndërkombëtarët. Ata kanë dhënë alarmin se nëse nuk amendohen nenet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, atëherë organet e reja të drejtësisë futen në ngërç dhe nuk punojnë dot. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili është një organizatë ndërkombëtare, përmes një letre të hapur kërkon që të ndërmerren veprime për zgjidhjen sa më shpejt të kësaj situate. “Dispozitat e shfuqizuara nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese prekin aspekte të rëndësishme të realizimit të mbledhjes plenare të KLGJ dhe KLP, të cilat në kushtet e këtij vakuumi ligjor, nuk mund të miratojnë dot aktet nënligjore normative për zbatimin e legjislacionit të reformës në drejtësi, aktet për miratimin e rregullave të tyre të brendshme, nuk mund të emërojnë dhe të ngrenë në detyrë gjyqtarët dhe prokurorët, nuk mund të miratojnë rregullat e detajuara për funksionimin e administratës së Këshillave, nuk mund të shqyrtojnë dot ankimet për vendimet e Komisioneve që krijohen në secilin Këshill, etj. Kjo situatë do të krijonte një ngërç tepër shqetësues në funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së këtyre dy Këshillave, nga të cilët varet krijimi dhe konstituimi i SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. Komiteti i Helsinkit sugjeron: të merren masat për përshpejtimin e shqyrtimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; të arrihet dialogu dhe konsensusi konstruktiv ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, me qëllim që të mundësohet funksionimi i shpejtë dhe normal i KLGJ dhe KLP”, tha Komiteti i Helsinkit.
Diskutime rreth kësaj post