Kreu demokrat Lulzim Basha ditën e djeshme ka zhvilluar një mbledhje me të gjithë anëtarët demokratë që janë pjesë e Komisionit të Ligjeve. Basha ka folur për amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike ku është shprehur se vjen si iniciativë për të patur përfitim qytetarët dhe jo PD. Sipas kreut të opozitës, 3 amendamentet e propozuara nga PD janë zgjidhja për të shpëtuar vendin nga kriza politike.
“Amendamentet e propozuara nga PD janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë për kthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët. Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfiton çdo qytetar që kërkon ndryshim dhe një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit”, tha Basha.
Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat u shpreh se 3 amendamentet kanë të bëjnë me 3 çështjet kryesore të qytetarëve që sipas tij janë pastrimi i politikës nga të korruptuarit, rikthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe reforma e re territoriale. Bardhi deklaroi se këto amendamente do të depozitohen sot në Kuvend teksa u shpreh se detyra e opozitës është të ofrojë zgjidhje për problemet e qytetarëve.
“Grupi parlamentar i PD vendosi që të depozitojë disa amendamente kushtetuese për tre çështje madhore në interes të qytetarëve. Së pari pastrimin e politikës nga të korruptuarit, rikthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve përmes ndryshimeve kushtetuese, së treti një reformë të re territoriale. Ne vendosëm që ditën e nesërme të depozitojmë amendamentet kushtetuese që formalizojnë të treja propozimet që unë përmenda. Të treja çështjet nuk janë për interesin e Partisë Demokratike, por për shqiptarët. Detyra e opozitës është të ofrojë zgjedhje për hallet e shqiptarëve”, tha Bardhi.
Diskutime rreth kësaj post