Kreu i opozitës Lulzim Basha mblodhi sot grupin e punës për çështjen e reformës zgjedhore, e cila është shpallur një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike dhe opozitës. Basha dhe aleatët e tij e konsiderojnë reformën zgjedhore si rrugën më të sigurtë për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Burime nga mbledhja e kreut të opozitës me përfaqësuesit demokratë të grupit të punës bënë të ditur se pritet që së shpejti Partia Demokratike të bëjë publike propozimet e veta për reformën zgjedhore, që do t’i hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik.
PD ka akuzuar kryeministrin Rama si pengues të reformës zgjedhore, ndërsa ka interpretuar si një mekanizëm të tillë edhe shtyrjen me 3 muaj të gjendjes së jashtëzakonshme.
Burime nga takimi pohuan se me propozimet konkrete për reformën zgjedhore, Partia Demokratike synon, të nxjerrë në pah edhe angazhimin e opozitës përballë mungesës së vullnetit të Edi Ramës për të miratuar me konsensus një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Rreth një muaj më parë, Unioni Ndërkombëtar Demokrat shprehu keqardhjen “për mungesën e vullnetit politik nga partia qeverisëse” dhe i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës “të ndërmarrin çdo përpjekje për ta tejkaluar në mënyrë të menjëhershme krizën e thellë politike nëpërmjet dialogut politik.”
Më vonë gjatë javës, pritet një takim i partive opozitare ku do të diskutohet lidhur me reformën zgjedhore.
Diskutime rreth kësaj post