Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se ka regjistruar 22 ha tokë në Vuno në mungesë të dokumentacionit.
Sekretari për çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso theksoi se qeveria përmes ndryshimit të kuadrit ligjor në periudhën 2016-2020 i ka hapur rrugë familjes së kryeministrit që të regjistrojë pronën në ATP pas vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe jo ta rishqyrtojë atë siç parashikonte ligji i mëparshëm.
“3 vjet më parë, më 7 gusht 2021, Artan Lame i Kadastrës dhe ish- kryetari, tashmë i arrestuar i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, dilnin para banorëve të Vunoit për të lajmëruar përfundimin e regjistrimit të pronave. Në listën e përfituesve, ndryshe nga sa pretendon Rama, ishte dhe fisi Koleka, dhe mes tyre Aneta Rama-Koleka; Bëhet fjalë për 22.4 hektarë ose 224 mijë metra katrorë, ku vëllezërit Rama marrin një pjesë jo të vogël. Një pasuri e tillë në atë zone, e painvestuar, përllogaritet me një vlerë 30 milionë euro.”-deklaroi Kaso.
Këto deklarata, Rama i cilëson si propagandë dhe baltë ndaj familjes së tij dhe zotohet se do të ngre padi në gjykatë.
Faktet e nxjerra nga PD, Rama thotë se janë ‘gropë ku ata do të bien vetë brenda’, ndërsa shton se “duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete”
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!
Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista. Por për publikun ka vetëm një fakt.
Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende certifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete. Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar
Diskutime rreth kësaj post