Gjykata Kushtetuese nuk do të plotësohet dot me 9 anëtarë, të paktën edhe për këtë vit. Ashtu sikundër flitej ditët e fundit, mbrëmjen e së enjtes është vulosur vendimi. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë një mbledhje të mbajtur pasditen e së enjtes, ka vendosur të pezullojë garën për vendin e lënë vakant nga Gani Dizdari. Sipas informacioneve, arsyeja është sepse kushdo që do të emërohet në këtë vakancë duhet të rrijë në detyrë vetëm 5 muaj, pasi mbaron afati 9-vjeçar dhe gara duhet të rihapet.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 30.09.2021, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me këtë rend dite: Informim i KED në lidhje me ecurinë e procesit të kandidimeve deri më tani, në lidhje me situatën e krijuar pas shpalljes së vendit vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të largimit Z. Gani DIZDARI. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi analizoi situatën e krijuar, në lidhje me këtë vend vakant, vendosi të pezullojë procedurën e verifikimit të kandidaturave, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, rishpallur nga Gjykata e Lartë, më datë 03.06.2021. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, njoftoi KED.
Por mosplotësimi i Kushtetueses me 9 anëtarë, rrezikon që të kemi vendim nul për shkarkimin e presidentit. Gazeta e tha prej disa javësh se në prapaskenë po gatuhet një pazar për të bllokuar shkarkimin e Metës në Kushtetuese. Sinjalet tashmë janë të qarta. Së pari Kushtetuesja nuk do të ketë 9 anëtarë. Dhe së dyti, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk po bën dot plotësimin me 10 anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë nëse nuk ka 10 anëtarë nuk merr dot vendim për emrat që duhet të emërojë në Kushtetuese. Nëse nuk emërohet anëtari i 10-të nga KLGJ, mund të futet në kolaps i gjithë procesi. Ndërkohë pak ditë më parë gazeta denoncoi dhe lojën me certifikatat e sigurisë. Gjykata e Lartë në korrik mbylli garën për 3 vakancat e fundit të Kushtetueses dhe ia dërgoi për verifikim Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gazeta ka mësuar se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk po shqyrton dot dosjet e kandidatëve, pasi një pjesë e madhe e anëtarëve nuk janë të pajisur me certifikata sigurie nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Disa e kanë pasur certifikatën, por iu ka skaduar dhe disa të tjerë nuk e kanë pasur. Mësohet se të gjithë kanë aplikuar pranë DSIK dhe kjo e fundit nuk i ka pajisur duke sjellë vonesa. Duke qenë se në dosjet për kandidatët ka të dhëna nga vetë DSIK, SHISH dhe institucione të tjera, duhet që anëtarët të jenë me certifikatë sigurie. DSIK varet nga kryeministri dhe fakti që po vijnë prej saj pengesat shton dyshimet se kemi një pazar mes presidentit dhe mazhorancës për të shtyrë sa më shumë vendimmarrjen e Kushtetueses. Meta nuk krijoi asnjë pengesë me dekretimin e qeverisë së re dhe sinjalet janë se në këmbim do të marrë bllokimin e shkarkimit në Kushtetuese.
Diskutime rreth kësaj post