Nga Anri Bala
Me pompozitet dhe me pipza, “Kryeçadra”, deklaroi dje, se ka përkrahjen e gjerë të Europës, Amerikës, Afrikës dhe Azisë, duke anashkaluar, jo pa qëllim Australinë dhe Zelandën e Re, vende të cilat u përshkuan në “këmbë” nga udhëheqësi legjendar!
Në podium, u ngjitën dy përfaqësues të “rëndësishëm” të Europës (Hartës europiane), nga organizatat rinore simotra të Belind Këlliçit, drejtuesit të FRPD-së.
Mediat e “blera” nga kryeministri Edi Rama, e pritën me ovacione lajmin e madh dhe nuk lanë moment e hapësirë të “kazanit” të tyre pa mbushur: “Përfaqësues të Merkelit në çadrën e Kryeçadrës.”
U iritova pak me thënë të drejtën, sepse mu duk sikur Merkeli kishte vdekur, pasi kishte ndërruar mendje për Kryeçadrën! Por u qetësova, kur pash këta të rinj “fluturak”, që fluturonin me presh në… u binda se Merkel ishte shëndoshë e mirë, në vendin e saj, në punët e saj.
Natyrisht, që fjalimi i tyre e mallëngjeu Kryeçadrën, por kurrë nuk kisha dëgjuar një qytetarë të huaj, që të udhëtonte drejtë Shqipërisë, me qëllimin e vetëm dhe të guximshëm, për t’i u kërkuar qytetarëve të saj të rrëzonin qeverinë dhe ta ndërronin me “qenërin”, që na ka grisur e shqepur aq keq, sa nuk ka rrobaqepës që na merr në dorë!
Megjithëse, nuk u vihet faj rinushave të së djathtë, që përveç qofteve dhe picave, mund ta kenë ngrënë ndonjë “supë”, për tu qarë hallin shqiptarëve me Kryeçadrën, që ka një hall të vetëm, të shpëtoi nga seritë e poshtërsive të tij. Rinushët nuk dinë asgjë, përveçse Këlliçi është pjesë e forumit të tyre, si dhjetëra organizata të tjera europiane dhe i ka ftuar të thonë ndonjë fjalë, a të recitojnë ndonjë vjershë të përgatitur nga Belindi dhe “belindat”.
Aq të pa informuar ishin të shkretët në ato që thonin, sa uluritën për korrupsionin, e të korruptuarit, krimin e kriminelët dhe në fund u ngashëryen, për heroin etalon të “ndershmërisë”, Ilir Meta, i cili duhej t’i bashkohej Kryeçadrës. Në fakt, kishin humbur edhe kordinatat e vendndodhjes, pasi kishin ngrënë 10 qofte të gatuara me farë djathi hollandez. Kujtonin se ishin në një çadër rumune, të ngritur nga njerëzit e revolucioneve.
Shumë nga ne, që i dëgjuam aty në çadër, ulëm kokën, sepse Metën sapo e kishim shpallur gjysëm “qelbësirë”. Nejse Kryeçadra u kënaq me kërkesën e Paul. Kaq i mjaftonte, zëri i protestës ishte dëgjuar deri në Gjermani, por shumë më larg ishte dëgjuar zëri i “heroit” Meta deri në Spanjë… tek Javeri.
Ai e deklaroi, sa i njohur ishte Meta dhe si i majtë i vërtetë, duhet t’i bashkohej të djathtës së vërtetë. Meta duhet të largohej nga Rama dhe t’i bashkohej protestës, për të rrëzuar qeverinë e “korruptuar”!
Ide e bukur e Javerit, sepse të rrezikuarit duhet të bashkohen, pa fe, parti, ide… për t’i bërë ballë rrezikut nga drejtësia. E rreziku është i madh, për të pagjykuarët që kanë “gabuar”, për të padënuarit që kanë blerë drejtësinë dhe që duan të riciklohen, megjithëse janë djegur. Kështu tha Javier, fjalë për fjalë.
Mirëpo, Javier kishte ngatërruar pak derën… sepse aty nuk protestohet për drejtësi… por në ndihmë të padrejtësisë! Ata që kërkojnë qeveri teknike, kërkojnë të shkëmbejnë thëngjillin me diamant, duke besuar tek ëndrra që shohin çdo ditë, ku djalli u thotë: Ju jeni populli, ju jeni diamanti. Në të vërtetë është një endërr e djallit, sepse nëse populli do vërshonte në atë shesh, as telat nuk do t’i gjindeshin çadrës dhe Kryçadra do kërkonte azil në Holand. Populli i majtë, nuk mund të trembet nga cicërimat, populli i majtë do drejtësi ashtu si dhe populi i djathtë ndaj hesht e pret, deri ku do shkojnë mashtruesit e qymyrit. Ndaj nuk e di, për cilin popull flasin xhambazet e politikës çadriste.
Pasunarë të ardhur nga shpellat e krimit, sot nuk kërkojnë ato që thotë Javeri, por të ruajnë plaçkën e bërë dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit. Mirëpo, me sa duket, Pauli i vogël, si mik i Bashës, nuk i di gjërat mirë dhe ngatërron BE-në, KE-në, KiE-në me axhendën e Kryeçadrës.
Europa është shprehur, duke deklaruar, se shqiptarët duan atë që duan gjithë europianët. Europën nuk e përfaqësojnë këta djathtistë të vegjël. Europa ka djathtistë, majtistë, ekstremistë, por nuk ka as edhe një zë të vetëm, që mbron mosndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve të politikës shqiptare.
Nuk besoj, se këta vogëlushë, kanë dijeni se kush është brenda në atë çadër, përveç Kryeçadrës. Nëse do, kishin sado pak njohje të atyre që ulurasin më shumë, do të kishin ikur me vrap, në vendet e tyre, pa avion e kalë, por në këmbë të lebetitur!
Vërtetë besoni se do guxojnë t’i thonë Merkelit, Kukanit, Fleckensteinit, Mogerinit…. tërhiquni, largoni Ramën, Vlahutinin dhe Lu-në dhe drejtësinë, se na është mërzitur miku i krahut politikë në Shqipëri. E vërteta është se, ata nuk dinë se çfarë kanë thënë, por kanë cituar atë që i’u a kanë dhënë të lexonin.
Për dijeni, ty Javer dhe ty Paul:
“Kryeçadra, ka shumë zullume, bashkë me suitën e tij të re e të vjetër, të veshur me Versace e Armani, që i’u hapin dhe i’a u mbyllin derën e makinave të tyre milionëshe, shërbëtorë të shitur për një kothere bukë. Gratë e fëmijët e tyre argëtohen dhe shkollohen në vendet më të pasura të rruzullit tokësorë, me paratë e atyre të mjerëve, që të shikojnë të zhgënjyer, e të lodhur nga dera e çadrës, me shpresë se diçka do të bëhet edhe për ta.
Aty, të djathtët tuaj, megjithëse sapo kanë ardhur nga berberi i tyre personal, të ngrefosur e llakosur, po ndyejnë gjithçka me aromën që kutërbojnë… poshtërsi. Dje, të ardhur nga këneta, sot, të zhytur në florinj!
Nuk besoni! Atëherë shikojini mirë, ose bëni një xhiro prapa çadrës dhe shikoni sa të pasur janë, shikoni makinat e tyre, që edhe Merkeli do t’i kishte zili?! Europa që duam ne, kërkon drejtësi! Europa që duam ne, do veting-un! Europa që duam ne, do ligjet dhe shtetin e së drejtës! Europa nga vini ju dhe duam të vijmë ne do gjithçka, që miqtë tuaj po e luftojnë.
Ndaj Paul e Javier, keni hyrë gabim në atë derë!
Diskutime rreth kësaj post