Astrit Patozi i ka dërguar një ftesë për bashkëpunim ish-deputetes së PD, Jozefina Topalli. Duke qenë se fushata elektorale ka nisur dhe formacionet në betejë kanë filluar të skicohen, Bindja Demokratike i ka shpallur tashmë kundërshtarët në garën e 25 prillit dhe kreu i partisë Patozi e ka të qartë rrugën drejt garës.
Sakaq duke përcaktuar si kundërshtare, PS nga njëra anë dhe PD e LSI në anën tjetër, ajo që Astrit Patozi synon është krijimi i një fronti opozitar, duke ftuar për bashkëpunim të gjitha partitë e reja kundër qeverisë. Kështu, ditën e djeshme përmes një interviste televizive teksa u dha përgjigje publike të gjithë atyre që e akuzojnë atë dhe zonjën Topalli për lëvizjet politike që ata sot drejtojnë, Patozi ftoi këtë të fundit të bashkohen në një front të vetëm më të fortë. Patozi tha se do të ftonte për bashkëpunim cilindo që është kundër tre partive të mëdha që kanë uzurpuar vendin dhe po shkatërrojnë zgjedhjet.
“Sigurisht i takon asaj që të shpalosë vizionin e vet apo se si e mendon ajo dhe të tjerët që mund t’i bashkohen asaj lëvizje Shqipërinë e së nesërmes. Ajo që na takon ne është që ne i urojmë rrugë të mbarë, i urojmë mirëseardhjen në fushën e betejës elektorale të 25 prillit. Ne inkurajojmë çdo forcë të re e cila është për ndryshimin dhe sigurisht këtu bën pjesë edhe lëvizja e zonjës Topalli. Nuk kam asnjë sekondë kohë për të humbur me një mendësi staliniste, e cila për fat të keq mbizotëron tek ajo që ka mbetur në PD”, – u shpreh ai.
Më tej Patozi tregoi se, qëllimin i partisë së tij është të largojnë nga pushteti tre partitë me oligarkë dhe të integrojë në politikë shqiptarë të lirë dhe të pavarur politikisht. Sakaq ai bëri të qartë se qëllimi i tyre janë zgjidhje të lira me lista të hapura, duke siguruar këtu se nuk do të cenohet asnjë votë e qytetarëve.
“Ne synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse dhe për këtë do të bëjmë gjithçka mundemi që t’i drejtohemi sidomos shqiptarëve të lirë dhe të paangazhuar politikisht, të cilët duhet të refuzojnë një model të shëmtuar politik që është kryetarokracia, e cila përfaqësuesit më të denjë i ka PS në pushtet dhe PD e LSI në opozitë. Ne kemi marrë një vendim, i cili është i panegociueshëm dhe është i paapelueshëm. Që do të thotë secili prej nesh që merr një votë më shumë se tjetri, merr mandatin, duke filluar nga unë i pari e deri tek kandidati i fundit”, – deklaroi Patozi.
Diskutime rreth kësaj post