Partia Demokratike ka sjellë një propozim të ri për KQZ-së. Hiqet dorë nga procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ nga Avokati i Popullit dhe e rikthejnë në Kuvend.
Sipas propozimit të ri Komisioneri, zëvendëskomisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Pikërisht pas këtij propozimi ka ardhur reagimi i fortë i kreut të partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se po bëjnë gjoja sikur po zihen për Reformën Zgjedhore dhe nuk duan që gjuha të shkojë aty ku dhemb dhëmbi, tek ndryshimi i sistemit dhe tek hapja e listave.
Postimi i plotë:
“PO “GRINDEN” PRAPË PËR ASGJËNË
Sa më shumë propozime për formulën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, aq më i lumtur do të jetë populli për të ardhmen e ndritur që e pret, pas këtij dakordësimi të ri (në rast se do të ndodhë).
Sepse vetëm aty ka ngelur puna me hallet, që kemi me zgjedhjet. Gjithçka tjetër është në rregull.
Është kaq e rëndësishme kjo çështje për procesin, saqë në vitin 2013, megjithëse nuk kishte asnjë anëtar në KQZ, Partia Socialiste arriti t’i fitojë zgjedhjet, madje edhe me rezultat të thellë.
Të njëtën gjë ka bërë Partia Demokratike në vitet e fundit, duke mos i plotësuar vendet e opozitës në atë institucion. Por kjo nuk ka shkaktuar asnjë pengesë, si për djegien “heroike” të mandateve dhe zëvendësimin e tyre ne parlament, ashtu edhe për zhvillimin e zgjedhjeve “moniste” të Edi Ramës, disa muaj më vonë.
Mjafton kaq për të kuptuar se po bëjnë sikur zihen dhe janë duke u prishur sërish për ASGJËNË, thjesht ngaqë nuk duan të shkojë gjuha atje ku dhemb dhëmbi, tek ndryshimi i sistemit dhe tek hapja e listave.
PS. Në këtë opinion nuk është marrë parasysh tema e nxehtë e tenderit të pajisjeve për identifikimin biometrik, sepse jemi të bindur se për atë nuk do të prishen kurrë palët ndërluftuese në Këshillin Politik.” shkruan Patozi.
Diskutime rreth kësaj post