Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Rrugor, reduktohen dokumentet që plotësohen për të aplikuar për patenta, kurse mosha e afateve të përdorimit të patentës është rritur.
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ylli Spahiu, sqaron për gazetën ndryshimet e reja që kanë hyrë në fuqi pas 21 janarit. Në fuqi pritet të hyjë edhe udhëzimi i zbatimit të Kodit Rrugor, për të cilën Spahiu thotë se do të sjellë ndryshime në programet për autoshkollat ku do të ketë 4 programe të ndara sipas kategorive të lejeve të drejtimit. Për marrjen e provimit teorik ulet numri i gabimeve të lejuara nga 7 në 4.
Kodit Rrugor, çfarë ndryshimesh sjell në marrjen e patentës apo dokumentet që duhen nxjerrë?
Pas 21 janarit, në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor kanë filluar të zbatohen ndryshimet në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti, por edhe për lëshimin dhe rinovimin e lejes së drejtimit. Ndryshime ka edhe në rritjen e moshës për afatet e vlefshmërisë së patentave.
Ndryshimet në dokumentet e regjistrimit të kandidatëve, që kërkojnë të pajisen me leje drejtimi konsistojnë në 3 dokumente. Hiqet vërtetimi i banimit, për shkak se gjendet në sistem dhe nuk është më e nevojshme që qytetarët të sjellin një vërtetim se ku banojnë.
Ndryshim tjetër është edhe heqja e grupit të gjakut, pra nuk kërkohen më analizat e grupit të gjakut. Për sa i përket certifikatës mjekësore, është bërë me afat vlefshmërie jo më të hershme se 6 muaj nga data e paraqitjes për regjistrim nga 3 muaj që ka qenë para 21 janarit. Certifikata mjekësore vërteton aftësitë psikofizike të personave që duan të pajisen me leje drejtimi apo kërkojnë ta rinovojnë atë.
Certifikata mjekësore nxirret te mjeku i lagjes aty ku qytetari ka kartelën mjekësore, por edhe do të kryhen vizitat tek okulisti dhe vizitat e tjera mjekësore për dëgjimin.
Si kanë ndryshuar afatet e vlefshmërisë së lejeve të drejtimit dhe mosha e drejtuesve të automjeteve?
Ndryshimet e moshës janë në përputhje me ndryshimet që i janë bërë Kodit Rrugor sipas standardeve të BEsë. Mosha për vlefshmërinë e lejeve të drejtimit është rritur. Për lejet e drejtimit të kategorisë A, B dhe BE, patenta ka qenë e vlefshme për 5 vjet kur janë dhënë ose konfirmuar për drejtuesit me moshë mbi 50 vjeç deri në 60 vjeç, tani afati i vlefshmërisë së patentës 5 vjet përfshin edhe moshën deri në 70 vjeç.
Patentat kanë qenë të vlefshme 3 vjet për personat që e kanë marrë patentën mbi 60 vjeç, tashmë ky afat vlefshmërie është edhe për personat që marrin patentën nga mosha 70 vjeç deri në moshën 80 vjeç, ku kjo kategori çdo një vit duhet të nxjerrë edhe dëshminë e aftësisë psikofizike. Për moshën mbi 80 vjeç, afati i lejes së drejtimit është 3 vjet, e shoqëruar çdo vit me nxjerrjen e dëshmisë së aftësisë psikofizike që lëshohet nga komisioni shëndetësor.
Ndryshime janë bërë edhe për kategorinë C të lejeve të drejtimit, ato kanë qenë të vlefshme 5 vjet për personat që e marrin atë në moshën 60 vjeç, mosha është rritur deri në 65 vjeç. Për moshat mbi 60 vjeç, patentat e kategorisë C, D, CE dhe DE janë të vlefshme 3 vjet. Për këtë moshë për kategorinë D dhe DE të lejeve të drejtimit ku përfshihet drejtimi i taksisë, kjo moshë duhet që çdo vit të nxjerrë dëshminë e aftësisë psikofizike.
Si do të veprohet me patentat aktuale, po modelet e reja të lejeve të drejtimit kur do të fillojnë të shpërndahen?
Patentat ekzistuese do të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në datat përkatëse të përfundimit të tyre. Rinovimi i lejeve të drejtimit ekzistuese do të bëhet sipas modelit ekzistues. Me daljen e modelit të ri të patentave, rinovimi do të kryhet sipas këtij modeli. Për nxjerrjen e modeleve të reja të patentës, puna do të nisë pas hyrjes në fuqi të udhëzimit për zbatimin e ndryshimeve të Kodit Rrugor.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, specifikimet për modelin e ri të lejeve të drejtimit janë gati, më pas do të kryhet tenderi për ngritjen e infrastrukturës të nevojshme teknologjike. Ne kemi marrë masat si drejtori që pas miratimit të udhëzimit të fillojmë lëshimin e patentave të reja për të përmbushur afatet e përcaktuara. Taksat dhe tarifat e pajisjes me leje drejtimi nuk ndryshojnë.
Çfarë ndryshimesh parashikohen të zbatohen me udhëzimin e Kodit Rrugor?
Në udhëzim parashikohen përshtatja e programeve për përgatitjen teorike të drejtuesve të rinj të automjeteve në përputhje me normat europiane. Ka një përmirësim cilësor, ku udhë zimi parashikon 4 programe për njohuritë teorike të ndara sipas kategorive së lejeve të drejtimit. Leja e drejtimit për kategorinë AM do të merret vetëm nëpërmjet dhënies së provimit për njohuritë teorike, ku për këtë do të ketë një program të veçantë. Për sa i përket kategorisë A dhe B, do të ketë një program të përbashkët teorik, ndryshe nga çfarë janë tani të cilat janë të ndara. Për kategorinë C dhe C 1 do të ketë program më vete, ashtu edhe për kategorinë D dhe D 1. Provimi i teorisë aktualisht është me 40 pyetje, koha maksimale e zhvillimit të provës së teorisë është 40 minuta dhe numri maksimal i gabimeve të lejuara është 7. Ndryshimet parashikojnë që testi teorik të ketë 40 pyetje, kohëzgjatja maksimale do të jetë 40 minuta, kurse numri maksimal i gabimeve të lejuara do të jetë 4.
Po marrja në provë për njohuritë e dhënies së automjetit për aplikantët e rinj si ndryshon?
Personat që kanë marrë leje drejtimi për shembull të kategorisë B me kamio manuale, automatikisht gëzojnë të drejtën për të drejtuar një automjet me kamio automatike. Kurse për ata drejtues automjetesh që janë marrë në provë me automjetet me kamio automatike, pasi autoshkollave do t’u jepet e drejta të marrin këto automjete, nuk gëzojnë të drejtën të drejtojnë një makinë me kamio manuale.
Dua të theksoj se marrja në provë e aplikantit për njohuritë praktike kryhet vetëm me një provë, ndërkohë që ka të drejtë të paraqitet edhe 4 herë të tjera në provim nëse ngel në provën e parë. Provimi nuk mund të jepet 2 herë brenda ditës, afati i përsëritjes së provimit është jo më pak se 5 ditë nga prova e parë, ndërkohë që ka qenë 15 ditë. Pra kemi shkurtim të kohës për përsëritjen e provimit. Nga prilli i 2015 të gjithë mbajtësit e lejeve të drejtimit kanë një total prej 20 pikësh që lëshohet në datën e lëshimit të lejes së drejtimit.
Në rast se për 2 vjet nga drejtuesi i automjetit nuk bëhet shkelje që parashikon zbritje pikësh, sasia e pikëve rritet me 2 pikë për çdo 2 vjet deri në një maksimum prej 30 pikësh. Në rast se sasia e pikëve është më pak se 20 dhe drejtuesi kryen shkelje që parashikojnë zbritje pikësh, për 2 vjet sasia e pikëve bëhet 20.
Pas zbritjes totale të pikëve, rimarrja e patentës bëhet me anë të provimit të kualifikimit teorik. Numri i pyetjeve është 30, koha maksimale e zhvillimit të provës së teorisë është 30 minuta dhe numri maksimal i gabimeve të lejuara është 3. Provimi bëhet për njohuritë e nevojshme të kapitullit V për normat e sjelljes së Kodit Rrugor. Për rimarrjen e lejes së drejtimit, tarifa që paguhet është 1500 lekë./Panorama
Diskutime rreth kësaj post