Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e 9 pasurive të paluajtshme, në të cilat përfshihen komplekse tregtare, godina multifunksionale, tokë truall, tokë arë, si edhe një shoqëri tregtare, të gjithë të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka dhe familjarëve të tij, për të cilat dyshohet se janë krijuar në bazë të të ardhurave të krijuara nga i pandehuri nga aktivitetit kriminal i “shfrytëzimit të prostitucionit…” dhe “trafikut të lëndëve narkotike…” në Itali.
Për këtë shtetas, pak ditë më parë edhe Prokuroria e Durrësit ngriti akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale…”, ndërkohë që Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e pasurive të tij, në bazë të ligjit “Antimafia”.
Fillimisht, ndaj këtyre pasurive, Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive, me leje të Gjykatës për Krime të Rënda, në kuadër të hetimit pasuror që ishte filluar ndaj të pandehurit Dashamir Gjoka, shkruan Panorama.
Gjatë fazës hetimore, i pandehuri dhe mbrojtja e tij paraqitën disa dokumenta jo-zyrtarë, në bazë të të cilave justifikonin faktin se pasuritë ishin krijuar nga huamarrja prej personave të ndryshëm. Në asnjë rast, këto raste huamarrjeje nuk provohen me dokumentacion të rregullt ligjor, duke krijuar bindjen se ato janë fiktive, me qëllim mbulimin e të ardhurave të pajustifikuara.
Sa i përket kërkesën për konfiskim, Prokuroria për Krime të Rënda vlerëson se plotësohen kushtet e parashikuara në ligjin Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” (Ligji “Antimafia”).
Në bazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se:
– Së pari, plotësohet kushti i ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm bazuar në indicie, për pjesëmarrjen e të hetuarit Dashamir Gjoka në veprimtari kriminale “Shfrytëzimit të prostitucionit, në rrethana rënduese”, parashkuar nga neni 114/a i Kodit Penal, veprimtari kjo e që fillon që nga viti 1999 në shtetin Italian; gjithashtu dhe kushti i ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për shtetasin Dashamir Gjoka i cili dyshohet dhe për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të krimit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal
– Së dyti, ka një shproporcion lidhur me të ardhurat e realizuara nga i hetuari Dashamir Gjoka dhe familjarët e tij dhe pasurive të fituara nga këta të fundit pas përfshirjes së tij në veprimtarinë kriminale
– Së treti, rezulton se pasuria është drejtpërdrejt në zotërim të plotë të personit të hetuar Dashamir Gjoka dhe familjarëve të tij.
Për sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e pasurive, si më poshtë:
- “Kompleks Shërbimesh “Gjoka“ me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2, sipërfaqe ndërtimi 2012.7 m2, me sipërfaqe prej 4285 m2 që është sipërfaqe për ushtrim aktiviteti dhe e përbërë konkretisht – objekt i ndarë në 3 kate – me emërtim “Supermarket, Bar Restorant, Motel“; objekt dy kate – me emërtim “Disko Bar, Palestër, Sall Lojrash“; objekt një katë me emërtim “Bar Kafe“-; pishinë; objekt qendër sportive (Motel 2 dhoma); objekt- Qendra Sportive Kalҫeto; objekt magazinë një kat, në fshatin Sallmone, Xhafzotaj, Durrës;
2.Pasuria pemishte+trual+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj, e blerë më datë 29.09.2006 në shumën 210.000 lekë nga shtetasit Liman e Ikbale Gjoka (nëna dhe babai i Dashamirit).
3.Pasuria e llojit tokë arë, me sipërfaqe 5090 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak, me datë regjistrimi 02.09.2009;
4.Pasuria e llojit tokë arë, me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak, me datë regjistrimi 02.09.2009;
5.Pasuria e llojit tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2 e blerë më 13.06.2008;
6.Pasuria e llojit ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, e blerë më 07.11.2006, ku janë ngritur një godinë shërbimi dy katë+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2 për të cilën është dhënë leje legalizimi.
7.Pasuria e llojit truall, ndodhur në Xhafzotaj, me sipërfaqe 928 m2, brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2;
8.Pasuria tokë arë me sipërfaqe 3700 m2 fituar me kontratën datë 21.03.2009, në Xhafzotaj;
9.Pasuria Shoqëria “Gjoka“ sh.p.k., së bashku me të gjithë asetet e saj;
10.Pasuria tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj).
Panorama.al
Diskutime rreth kësaj post