I ftuar në studion e ABC kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo është shprehur se Partia Socialiste e tanishme nuk ka lidhje me atë që ka qenë në fillim.
Milo në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi ka theksuar se tashmë Rama ka arritur që të krijojë partinë e Rilindjes, që mban vulën e tij.
Milo nga studio e ABC ka komentuar dhe ndryshimet në qeveri ku ka theksuare ishte e nevojshme vendosja në krye të ministrisë së Jashtme një person që është në kohë të plotë në krye të institucionit.
“Partia Socialiste tashmë ka vetëm emrin pasi në substancë ka ndryshuar, që në momentin që kryetar u bë Rama dhe jo rastësisht e quajti dhe Rilindje. Ai donte të krijonte partinë e tij dhe të shkëputej nga tradita e partisë socialiste që e lidhte këtë parti me partinë e punës dhe kur dihet që Rama që në 93 ka bërë deklarata ekstreme me ish komunistët, ai donte ta pastronte partinë dhe të krijonte një parti me stampën e tij gjë që ka arritur ta bëjë. PS-ja ka qenë tjetër gjë dhe Rilindja është tjetër gjë.
Gramoz Ruçin e mban se i duhet për shkak të reputacionit dhe si një urë lidhëse mes PS-së dhe Rilindjes. Pasi sot për PS-në vetojnë shumë veteranë për inerci dhe mendojnë se kjo është akoma partia përfaqësuese e partisë së tyre. Ka një numër shumë të madh të anëtarëve të ish partisë së punës që punojnë dhe e lidhin vendin me partinë socialiste dhe ka një pjesë të madhe të këtyre njerëzve që janë të lidhur me historinë e tyre dhe vijojnë e votojnë PS-në. Gramoz Ruçin e shikoj si një nga vlerat më të çmuara të Partisë Socialiste e vlerësoj për kontributet e tij dhe ka meritën që ka ditur që të ruajë ekuilibrin e e marrëdhënieve të brendshme.
Së pari unë shikoj një lëvizje pozitive në lëvizjen dhe në ndryshimin e drejtuesit të ministrisë së Punëve të jashtme për të përqendruar të gjithë vëmendjen atje para detyrave të mëdha që ka Shqipëria siç është integrimi evropian, për këtë nuk kemi një dyzim më të qeverisë por kemi një person që me kohë të plotë të qëndrojë dhe të merret me problemet e këtij institucioni. Pasi kryeministri që ka shumë punë nuk kishte kohë që të merrej me politikën e jashtme. Fytyra zyrtare e shtetit duhet të jetë e pranishme kudo. Emërimi i Xhaçkës e mbyll boshllëkun dhe krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me drejtuesit e tjerë”, ka thënë Milo.
Gjithashtu ai ka folur dhe në lidhje me vizitën e kryeministrit Rama në Turqi, ku thekson se tashmë këto marrëdhënie janë kthyer në marrëdhënie personale.
“Asnjëhere marrëdhëniet Shqipëri-Turqi nuk kanë qenë kaq shumë të personalizuara siç janë tani. Unë si historian po them se marrëdhëniet me Turqinë janë vendosur në ’58 dhe në komunizëm kanë qenë marrëdhënie zyrtare dhe korrekte, Çfarë ndodhte në Turqi nuk reflektohej në marrëdhëniet Shqipëri-Turqi dhe nuk ndikoj. Në kohën e presidentit Berisha pati një tendencë për ti ngritur në një nivel më të lartë. Por nga viti 2013 deri më sot marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë në pikëpamje të volumit të shkëmbimeve mund të jenë rritur por kjo rritje marrëdhëniesh nuk ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së kontakteve gjithë përfshirëse institucionale por si një politikë personale e kryeministrit Rama me presidentin e Turqisë Erdogan dhe kjo u duk që në gusht të 2013 kur Rama pa krijuar ende qeverinë e tij së bashku me Bushatin kanë shkuar në Turqi dhe kanë biseduar me Erdogan.
Kjo marrëdhënie e personalizuar mund ti ketë sjellë Shqipërisë dhe qeverisë përfitime, ndihma dhe mbështetje afatshkurtra por nëse e analizojmë ndër vite një ecuri të tillë ajo është lëkundur dhe është një marrëdhënie interesi për Shqipërinë afatshkurtër në funksionon të politikës së ditës, për Turqinë është ndryshe është një marrëdhënie me objektiva strategjike dhe afatgjate”, është shprehur kreu i Partisë Demokracia Sociale.
Diskutime rreth kësaj post