Nga: Gjergji Figuri
Ndihmës elektriçisti nga Gjadri i Lezhës, 8 vjet më parë i fiksuar pas orëve kishte dëshirë që ato të ishin sa më të veçanta, ndaj nisi të dizejnojë në mënyrë artizanale rripat e tyre.
31-vjecari Ilirjan Prenga, më pas vazhdoi të prodhojë dhe aksesorë të tjerë.
“Orët i kam pasur merak që i vogël. Nisa tju krijoja rripa vetë. Më pas fillova të bëja portofole modele të thjeshta, më pas me çanta të vogla, me rripa. Nga hiçi, sot kam krijuar një fare klientele. Vitin e fundit kam bërë e shitje”.
Ilirjani në fillimet e veta ka kaluar disa sfida.
Fillimisht përshtati një dhomë brenda shtëpisë dhe e ktheu në punishte. Më pas nisi të siguronte materiale.
“Këtu s’është i njohur si zanat. Vitin e parë kam vuajtur për të siguruar lëkurët, mastiçin dhe spangot. Kam pasur vështirësi për të dalë në treg. Duke pyet njerëz, miq gjeta magazina për të marrë lëndën e parë, që më duhet për procesin e punës”.
Tani lëndën e parë e siguron nga Italia, pasi sipas tij cilësia e lëkurës ka shumë rëndësi.
“Lëkurat janë të lyera, të përgatitura nga fabrikat. Janë dhe disa të tjera që lyen me anë të bojrave të alkoolit dhe vijnë gjysmë të gatshme e më pas I lyejmë edhe këtu. Lëkurën e marr nga Italia është ndër më të mirat, se e kanë traditë më shumë se 200-300 vjeçare. Është nga më të mirat e zonës së Toskanës”.
31-vjeçari portofolëve shpesh herë ju shton dhe elementë të traditës.
Lëkurën e ndërthur me punimet në tezgjah.
“Jam në bashkëpunim me një punishte të vogël në Zadrimë, që prodhon pëlhurat e tezgjahut në mënyrë artizanale. Kemi bashkëpunim të vogël që prodhoj disa modele që janë kombinim mes lëkurës dhe copës së tezgjahut për të ruajtur tradicionalitetin e zonës”.
Disa prej klientëve ja dërgojnë vetë modelin se si i duan aksesorët. Ilirjani thotë se herë pas herë I nevojitet mendim profesional, ndaj është në kërkim të një dizenjuesit.
“Modelet janë unike, s’ke shumë mundësi për modele të reja. Me modelet bazë bëj ndonjë kombinim apo përshtatje sipas dëshirave apo kërkesave. Puna e dizajnit në industrinë e modës është puna kryesore. kur dizajni bën skicat atëherë puna lehtësohet, ke gjysmën e punës gati”.
Tregon se modelet për vajza e gra e mundojnë më shumë pasi ato janë më kërkuese.
“Modelet e meshkujve janë më të thjeshta, më serioze. Femrat kanë tekat e tyre, jam munduar të bëj 2-3 modele po është e vështirë për t’i bërë. Puna që bëj është artizanale dhe modelet, që shiten në treg janë të vështira për tu punuar me dorë”.
Realizimi i një portofoli të thjeshtë do të paktën 2 orë, ndërsa modelet më të kompikuara zgjasin dhe më shumë.
“Varet nga modeli i portofolit që do të bësh, zgjasin nga 2 orë deri 7 orë e më shumë për modele të ndërlikuara”.
Ky i ri është për tu marrë shembull, punon gjatë gjithë ditës, si ndihmës elektriçist për të siguruar të ardhura shtesë.
Me paratë që fiton ble materialet që i nevojiten për të prodhuar në pjesën tjetër të ditës aksesorë, të cilët përgjithësisht i shet duke i ekspozuar në rrjetet sociale.
Diskutime rreth kësaj post