Deputeti opozitar Lefter Maliqi i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të protestojnë gjatë muajit janar, në të kundërt do të përjetojnë “diktaturën” pasi të votohet ligji “anti-shpifje”.
Nga foltorja e parlamentit, Maliqi i bëri thirrje edhe kolegëve opozitarë të braktisin parlamentin. “Nuk ke ç’e do të rrish këtu”, u shpreh Maliqi, “kur populli vuan dhe gazetarët futen në burg”.
Pjesë nga fjala e deputetit Maliqi:
Kjo është dita e fundit e demokracisë. Demokracia e vërtetë ka vdekur sot dhe lind diktatura, është në dorën e gazetarëve, socialistëve të ndershëm, qytetarëve që muajin janar ta shpallim muaj reagimi, në të kundërt ta gëzojmë diktaturën. Çfarë ka më shumë diktatura, e patë kush u fut në burg? Disa sardele ndërsa levreku rri në breg, apo kaposhi në malet e Krujës. Nxjerrin disa artistë që qajnë, ju vjen keq atje, ndërkohë njëri ka marrë disa rezervate nga Elbasani dhe del në media e thotë rroftë Edi Rama. Kanë marrë edhe këto dy vjet leje ndërtimi nga Partia Socialiste, apo ndonjë deputet apo ish-deputet që është kapur peng dhe del atje në media.
Një pjesë të mëdiave e ka kapur, gazetarët janë hallexhinj, janë si policët, janë pronarët ata që ka kapur ky. Më thoni një kryeministër në botë që ka media, çfarë bën ky në median e vetë? Mashtrime, suksese imagjinare. Të gjithë ata që shikojnë ëndërra me diktatorë apo sulltanë, në momentin që merren me mediat ikin vetë. Ne sot do të votojmë edhe një ministër se ka lekë plot, do zgjerohet qeveria. Thirrja ime është e drejtpërdrejtë, gazetarë, artistë, socialistë të ndershëm, ngrihuni në Janar. Ka ardhur koha e një bashkimi të madh, unë jam i pari që largohem nga ky parlament, nuk ke çe do të rrish këtu kur populli vuan, nuk ke ç’e do kur gazetari futet në burg, kur populli nuk ka bukë, ose të ngrihemi e t’i shporrim njëherë e mirë.
Diskutime rreth kësaj post